BOTA, 9 Gusht 2024, 18:32

“Po punon për pasurimin e vetes”/ SHBA “tremb” Dodik: E dimë se ku janë paratë!

“Po punon për pasurimin e vetes”/ SHBA “tremb”

Ambasada e SHBA-së në Bosnje ka thënë se kreu i Republikës Srpska, Milorad Dodik është më i shqetësuar për pasurimin e tij se sa për pasurimin e komunave në RS. Duke theksuar se SHBA-ja mbështet fuqimisht vetëqeverisjen lokale në Bosnje dhe Hercegovinë, Ambasada në një postim në rrjetin social X theksoi se shumë komuna në të cilat Aleanca e Social Demokratëve të Pavarur (SNSD), kryetar i së cilës është Dodik janë në pushtet, u tërhoq nga programi amerikan i ndihmës, sepse Dodik u bëri presion për tu tërhequr.

“Komunitetet e tyre tani po humbasin përfitimet punë, infrastrukturë të përmirësuar, investime dhe më shumë që ofrojnë këto programe. Dodik merret më shumë me pasurimin e vetes dhe të familjes se sa për të pasuruar komunitetet lokale dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës në komuna. Diaspora Invest deri më tani ka realizuar 69 milionë dollarë investime dhe ka hapur më shumë se 2800 vende pune në mbarë Bosnjën dhe Hercegovinën. Të gjitha komunat në Bosnje dhe Hercegovinë kanë të drejtë të marrin pjesë në programet tona të investimeve dhe programet e qeverisjes vendore, dhe aktualisht 30 komuna nga Federata e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe dhjetë komuna nga RS marrin pjesë në to,” tha Ambasada e SHBA.

Gjithashtu reagimi i përfaqësisë së SHBA përfundoi me deklaratën se ata e dinë se ku janë paratë. 

“Ne e dimë se ku janë paratë”, thuhej në njoftim.