BOTA, 8 Gusht 2024, 23:17

Analiza/ Zgjedhja e udhëheqësit të ri të Hamasit zbeh shpresat për armëpushim në Gaza

Analiza/ Zgjedhja e udhëheqësit të ri të Hamasit zbeh

Udhëheqësi i grupit militant Hamas, Yahya Sinwar, që besohet se planifikoi sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit, u emërua si udhëheqës politik dhe ushtarak që vepron në Gazë. Analistët thonë se ka pak gjasa që ai të arrijë një marrëveshje për armëpushim në Gazë me Izraelin dhe që të lirojë pengjet, por një zëdhënës i grupit thonë se drejtuesi i militantëve do të vazhdojë negociatat.

Analisti Nicholas Heras pranë Institutit ‘New Lines’ me seli në Uashington, i tha Zërit të Amerikës se përzgjedhja e Yahya Sinwarit si udhëheqës i ri politik i Hamasit dëshmon se në qendër të vendimarrjes është Gaza dhe jo Katari, ku ishte baza politike e grupit militant.

“Hamasi po i bën një deklaratë shumë të qartë botës, jo vetëm Izraelit, Shteteve të Bashkuara, Katarit dhe Egjiptit, se rruga për tek Hamasi shkon përmes Gazës dhe se në thelb Hamasi po tregohet i gatshëm të luftojë deri në fundin e hidhur, jo vetëm për mbijetesën e vet si organizatë, por nga pikëpamja e tij, për të ardhmen e palestinezëve. Hamasi po u dërgon sinjale izraelitëve dhe të gjithë atyre që punojnë me ta, se nuk ka mënyrë për ta ndarë Gazën dhe të ardhmen e Gazës nga Hamasi,” thotë analisti Heras.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken thotë se tani është në duart e Yahya Sinwar-it për të arritur një marrëveshje armëpushimi për t’i dhënë fund konfliktit 10 mujor në Gazë ngaqë ai “ishte dhe vazhdon të jetë vendimmarrësi kryesor.” Kjo nënkupton që ai ishte vendimmarrës edhe në kohën sa ishte gjallë kryenegociatori i Hamasit, Ismail Haniyeh, i cili konsiderohej relativisht më i moderuar.

Eksperti i Hamasit, Khaleb Hroub pranë Universitetit ‘Northwestern’ në Katar, i tha gazetës franceze ‘Le Monde’ se “nëse Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në rajon dhe përtej shpresonin se do ta mposhtnin Hamasin me forcë, kundërpërgjigja do të jetë një Hamas edhe më radikal.”

Ai thotë se nuk mendon që grupi militant do ta zbusë qëndrimin e tij, ndërkohë që Uashingtoni dhe Katari po bëjnë përpjekje për të arritur një marrëveshje me shpresë për të shtensionuar përshkallëzimin e tanishëm ndërmjet Izraelit dhe Iranit.

Ekspertja e vendeve të Gjirit Persik pranë Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, Cinzia Bianco i tha Zërit të Amerikës se për tetë muaj Katari ka bërë përpjekje për të arritur një marrëveshje, por në fakt Hamasi merr direktiva nga Irani.

“Ata i përgjigjen vetëm Iranit dhe ndoshta mbështetësve të tyre të tjerë deri në një masë, Rusisë dhe Kinës gjithashtu. Kauza politike dhe kauza ushtarake tani janë bërë një kauzë e vetme. Kjo do të thotë se ndikimi i Katarit tani është më i vogël,” thotë ekspertja Bianco.

Zyrtarët amerikanë dhe izraelitë të zbulimit i thanë të përditshmes ‘New York Times’ se strategjia e Yahya Sinwar-it është “të vazhdojë lufën në Gazë për aq kohë sa të jetë e mundur që të shkatërrojë reputacionin ndërkombëtar të Izraelit dhe për të dëmtuar marrëdhëniet e tij me Shtetet e Bashkuara, aleatin e tij kryesor.”

Analisti Heras thotë se drejtuesi i Hamasit është i ndikuar nga gjenerali i vrarë i Rojeve Revolucionare të Iranit, Qassem Soleimani dhe se po përdor strategjinë e tij ndaj Izraelit. Sipas tij, “Soleimani zhvilloi një strategji të tërë për të krijuar një rrjet grupesh që veprojnë me urdhër të Iranit dhe partnerëve që rrethojnë Izraelin”, përfshirë Hamasin, për të synuar shkatërrimin e tij.

“Përgjatë një periudhe kohore, luftërat e vazhdueshme me Izraelin do të minojnë themelet e Izraelit në aspektin ekonomik, shoqëror, politik dhe pastaj gjeopolitik. Të gjitha këto elemente ishin të pranishëm në konfliktin e tanishëm që Hamasi filloi më 7 tetor të vitit 2023. Dhe po shohim që strategjia e Soleimanit po vazhdon të zbatohet,” tha ai.

Vëzhguesit thonë se sipas tyre drejtuesi i Hamasit Sinwar dhe Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk janë të gatshëm të arrijnë një marrëveshje armëpushimi për interesat e tyre politike./voa