BOTA, 20 Shkurt 2023, 08:58

Përmbytje e rrëshqitje dherash në Brazil, 36 persona humbën jetën

Përmbytje e rrëshqitje dherash në Brazil, 36 persona humbën

Të paktën 36 persona kanë vdekur nga përmbytjet e mëdha dhe rrëshqitjet e dheut në San Paolo, duke detyruar disa qytete të anulojnë festimet vjetore të karnavaleve.

Lagje të tëra dhe autostrada janë nën ujë, ndërsa dherat kanë shkatërruar banesat. Ekipet e shpëtimit po punojnë për të gjetur të mbijetuarit.

“Është një situatë kaotike”, tha Felipe Augusto, kryebashkiaku i São Sebastião. “Po përpiqemi të shpëtojmë të mbijetuarit.”

Dhjetra të tjerë janë zhdukur në qytet dhe rreth 50 shtëpi janë shembur dhe rrënuar, shtoi Augusto, duke theksuar se situata është “jashtëzakonisht kritike”.

Gjendja e fatkeqësisë natyrore 180-ditore u shpall në gjashtë qytete të shtetit: São Sebastião, Caraguatatuba, Ilhabela, Ubatuba, Guarujá dhe Bertioga.