BOTA, 20 Qershor 2026, 13:36

Përkeqësohet situata në Kongo/ Konfirmohen 993 raste të reja me virusin Ebola dhe regjistrohen 245 vdekje

Përkeqësohet situata në Kongo/ Konfirmohen 993 raste të reja

Autoritetet shëndetësore në Republikën Demokratike të Kongos kanë njoftuar një rritje të ndjeshme të rasteve të virusit Ebola, ndërsa epidemia vazhdon të përhapet në disa zona të vendit.

Ministri i Shëndetësisë bëri të ditur se numri i rasteve të konfirmuara në laborator ka arritur në 933, ndërsa 245 persona kanë humbur jetën si pasojë e sëmundjes. Sipas tij, 80 pacientë janë shëruar dhe janë larguar nga qendrat e trajtimit.

Shpërthimi aktual i epidemisë u shpall zyrtarisht më 15 maj dhe është shkaktuar nga lloji Bubaquio i virusit Ebola, një variant më i rrallë për të cilin aktualisht nuk ekziston as trajtim specifik dhe as vaksinë e dedikuar.

Autoritetet shëndetësore besojnë se virusi kishte qarkulluar në komunitet për një periudhë kohe përpara se të identifikoheshin rastet e para dhe të shpallej epidemia.

Ebola konsiderohet një nga sëmundjet më vdekjeprurëse infektive në botë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ajo ka shkaktuar mbi 15 mijë viktima në Afrikë gjatë pesë dekadave të fundit, me një shkallë vdekshmërie që mund të variojë nga 25 deri në 90 për qind, në varësi të llojit të virusit dhe kushteve të trajtimit.

Republika Demokratike e Kongos është përballur disa herë me shpërthime të Ebolës. Epidemia më e rëndë në historinë e fundit të vendit u regjistrua mes viteve 2018 dhe 2020, kur gati 2,300 persona humbën jetën nga rreth 3,500 raste të konfirmuara.

Autoritetet vendase dhe organizatat ndërkombëtare të shëndetësisë po intensifikojnë përpjekjet për të frenuar përhapjen e virusit dhe për të trajtuar personat e prekur në zonat më të goditura.