BOTA, 19 Qershor 2026, 21:43

Kremlini: Jemi të hapur për negociata me BE, por nuk pranojmë ultimatume

Kremlini: Jemi të hapur për negociata me BE, por nuk pranojmë

Rusia deklaroi sot se është e hapur për dialog me vendet evropiane, por nuk do të pranojë ultimatume, sipas Reuters.

Deklarata vjen në një kohë kur po shtohen sinjalet se Bashkimi Evropian mund të kërkojë kontakte me Moskën pas një periudhe të gjatë shmangieje të komunikimit që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se arsyeja e shëndoshë dikton nevojën për kontakte mes Rusisë dhe Evropës për shkak të numrit të madh të çështjeve komplekse në axhendë. Megjithatë, ai theksoi se evropianët duhet të ndryshojnë qasjen e tyre ndaj Rusisë.

“Evropianët kanë një keqkuptim shumë serioz. Ata supozojnë se negociatat me Rusinë duhet të zhvillohen nga një pozicion force dhe mbi bazën e dobësisë së Rusisë. Ky është gabimi më i madh. Një qasje e tillë nuk do të çojë askund”, u tha Peskov gazetarëve.

Ai shtoi se nuk është e qartë nëse kjo vjen nga paaftësia, dezinformimi apo mungesa e gjykimit politik në Evropë, por sipas tij është një realitet i dukshëm.

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar më parë se është i gatshëm për bisedime me qeveritë evropiane, por pret që hapi i parë të vijë prej tyre, pasi sipas tij ishin vendet evropiane ato që ndërprenë marrëdhëniet.

Bashkimi Evropian ka vendosur 20 paketa sanksionesh ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Pas më shumë se një viti duke ia lënë kryesisht presidentit  amerikan Donald Trump përpjekjet për ndërmjetësimin e paqes, Bashkimi Evropian ka filluar të testojë me kujdes mundësinë e hapjes së kanaleve të komunikimit me Moskën.

Zyra e presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, konfirmoi se gjatë javëve të fundit janë zhvilluar kontakte të shkurtra diplomatike me Kremlinin për të hapur kanale komunikimi.

Ndërkohë, kancelari austriak Christian Stocker deklaroi në një intervistë për “Financial Times“ se BE-ja duhet të shfrytëzojë momentin e krijuar rreth bisedimeve për paqen në Ukrainë për të ringjallur negociatat me Putinin.

Peskov tha se Rusia është e gatshme për bisedime nëse pala tjetër është e hapur për dialog të vërtetë dhe jo për “predikime morale” apo ultimatume.

Megjithatë, iniciativa e Costës ka nxjerrë në pah ndarje mes vendeve anëtare të BE-së.

Disa liderë në samitin e Brukselit u ankuan se nuk ishin konsultuar paraprakisht dhe argumentuan se fokusi duhet të mbetet tek rritja e presionit ndaj Rusisë.