BOTA, 2 Korrik 2025, 21:31

Për herë të parë që nga viti 2014, Ursula von der Leyen përballet me votë mosbesimi në Parlamentin Evropian

Për herë të parë që nga viti 2014, Ursula von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të përballet me një votë mosbesimi në Parlamentin Evropian të enjten e ardhshme, më 10 korrik, një zhvillim i rrallë që ndodh për herë të parë që nga viti 2014.

Iniciativa për votën e mosbesimit është ndërmarrë nga eurodeputeti rumun i djathtë, Gheorghe Piperea, si reagim ndaj mesazheve të fshehta të shkëmbyera midis Von der Leyen dhe CEO-së së Pfizer, Albert Bourla, lidhur me blerjen e vaksinave kundër COVID-19 nga Bashkimi Evropian.

Megjithëse disa eurodeputetë nga Partia Popullore Evropiane (EPP), pjesë e së cilës është edhe vetë Von der Leyen, si dhe nga grupi konservator ECR, kanë tërhequr mbështetjen për nismën pas presioneve të brendshme politike, propozimi arriti të mbledhë 72 firmat e nevojshme për t’u çuar për votim.

Sipas raportimit të Politico, kjo lëvizje vlerësohet më shumë si simbolike, pasi shumica e grupeve politike në Parlamentin Evropian kanë deklaruar tashmë se do ta kundërshtojnë votën e mosbesimit.

Megjithatë, situata vë në pah pakënaqësinë e shtuar ndaj Von der Leyen në Bruksel, pas një sërë vendimesh të diskutueshme dhe skandalesh që kanë tronditur besueshmërinë e saj.

Presidentja e Komisionit do të duhet të paraqitet në një debat zyrtar ditën e hënë, më 8 korrik, tre ditë para votimit, për të dhënë llogari mbi veprimet e Komisionit Evropian. Në të njëjtën kohë, pritet që edhe krerët e grupeve parlamentare të paraqesin qëndrimet e tyre për çështjen.

Në rastin shumë të pamundur që mocioni të miratohet, kjo do të çonte në dorëheqjen e të gjithë Komisionit Evropian dhe do të hapte një proces të gjatë dhe kompleks për emërimin e 27 komisionerëve të rinj.