BOTA, 1 Korrik 2025, 19:03

Macron i kërkon Putinit një armëpushim sa më shpejt të jetë e mundur në Ukrainë

Macron i kërkon Putinit një armëpushim sa më shpejt të

Presidenti francez, Emmanuel Macron i bëri thirrje homologut të tij rus, Vladimir Putin për një armëpushim sa më shpejt të jetë e mundur në Ukrainë.

Dy presidentët folën për më shumë se dy orë për Iranin dhe Ukrainën.

”Macron dhe Putin trajtuan në thelb çështjet më të rëndësishme të situatës ndërkombëtare, Iranin dhe Ukrainën”, sipas Pallatit Elisee.

Presidenti francez Emmanuel Macron foli me homologun e tij rus Vladimir Putin për herë të parë që nga shtatori 2022.

”Ai nënvizoi mbështetjen e palëkundur të Francës për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe bëri thirrje për vendosjen, sa më shpejt të jetë e mundur, të një armëpushimi dhe nisjen e negociatave midis Ukrainës dhe Rusisë për një zgjidhje të fortë dhe të qëndrueshme të konfliktit”, deklaroi Pallati Elisee.

”Macron i kujtoi homologut të tij përgjegjësitë e anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pra Francës dhe Rusisë, për çështjen bërthamore dhe këmbënguli në urgjencën që Irani të përmbushë detyrimet e NPT-së, Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, dhe në veçanti në bashkëpunimin e plotë me IAEA-n, inspektorët e së cilës duhet të jenë në gjendje të rifillojnë punën e tyre menjëherë”, shtoi Elisee.

Ndërkohë, Putin paralajmëroi Macronin se çdo marrëveshje paqeje në Ukrainë duhet të jetë afatgjatë.

”Për Vladimir Putinin, konflikti ukrainas është një pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të shteteve perëndimore”, sipas Kremlinit.

”Lidhur me Iranin, të dy presidentët kanë vendosur të koordinojnë përpjekjet e tyre dhe të flasin së shpejti në mënyrë që të ndjekin së bashku këtë çështje”, tha presidenca franceze.