TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në një debat televiziv, fituesi i zgjedhjeve gjermane, lideri i CDU-së Friedrich Merz theksoi se prioriteti i tij kryesor është të forcojë Evropën sa më shpejt që të jetë e mundur për të siguruar pavarësi nga Shtetet e Bashkuara, sidomos në fushën e mbrojtjes.
Ai shprehu shqetësimin e tij pas deklaratave të Donald Trump javën e kaluar, duke thënë se qeveria amerikane nuk ka interes për Evropën. Në lidhje me ndikimin e Elon Musk në zgjedhjet gjermane, Merz e quajti mbështetjen ndaj partisë AfD “drastike” duke e krahasuar me ndërhyrjen e Rusisë në të kaluarën.
Ndërsa Merz po përgatitet për të formuar qeverinë si kancelar i ardhshëm i Gjermanisë, ai u pyet për shpejtësinë e krijimit të një qeverie të re.
Ai theksoi se do të jetë “e vështirë” të formohet një qeveri, por e pranoi se kjo ishte diçka që pritej së shpejti. Megjithatë, ai shtoi se është i sigurt se do të arrihet formimi i një qeverie deri në Pashkë, në prill. “Evropa pret që ne të kemi një qeveri të fortë shumë shpejt,” theksoi ai.
Pas parashikimeve të bazuara në sondazhet paszgjedhore kancelari gjerman, Olaf Scholz, pranoi humbjen e SPD-së. Gjermania gjendet tani para një ndryshimi të qeverisë.
Zgjedhjet federale 2025 – prognozat e para
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, pranoi humbjen e SPD-së në zgjedhjet federale. “Ky është një rezultat i hidhur zgjedhor për Partinë Socialdemokrate, dhe gjithashtu edhe humbje në zgjedhje”, tha kandidati i SPD-së për kancelar pas prognozave të para pas mbylljes së qedrave të votimit.
Këto janë parashikimet më të fundit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të përditësuara në kohë reale.
Sipas parashikimit të institutit për demoskopinë Infratest-dimap, CDU/CSU pritet të fitojë shumicën e votave, e ndjekur nga AfD-ja me rreth 19.5 për qind. Kurse SPD dhe të Gjelbërit pritet të fitojnë përkatësisht 16.0 dhe 13.5 përqind të votave.
Sa u përket partive më të vogla, Partia E Majta ndoshta do ta kapërcejë pragun prej pesë për qind dhe do të hyjë në parlament.
Për partinë liberale FDP me kandidatin kryesor Christian Lindner nuk është ende e sigurt nese do të arrijnë të hyjnë në Bundestag, pra të kalojnë pragun prej pesë përqind. Kurse Aleanca Sahra Wagenknecht (BSW) duket se e kaloi pragun e 5%.
Humbës dhe fitues
Këto zgjedhje ishin një lloj “larjeje hesapi” me koalicionin mes SPD, Të Gjerbërve dhe FDP. Të tria partitë që ishin në qeveri deri tani humbën, ndërkohë që tri parti opozitare fituan.
Cili koalicion mund të qeverisë Gjermaninë?
Bashkimi CDU/CSU i fitoi zgjedhjet federale, por arriti një nga rezultatet më të dobëta në zgjedhjet në Gjermani. Friedrich Merz-it do t’i duhet tani të zhvillojë me partnerët e mundshëm bisedime për një koalicioni qeveritar. Deri tani nuk është ende e qartë nëse CDU/CSU do të ketë nevojë vetëm për një partner tjetër, apo nëse do t’i duhet të krijojë një aleancë me tri parti, në rast se FDP ose BSW hyjnë në Bundestag.