BOTA, 14 Shtator 2025, 14:47

Operacioni i Izraelit kundër Hamasit në Gaza, 32 të vrarë

Operacioni i Izraelit kundër Hamasit në Gaza, 32 të vrarë

Izraeli vijon operacionet kundër bazave të Hamasit në Gaza. Një breshëri sulmesh ajrore ka lënë të vrarë të paktën 32 persona në mbarë Qytetin e Gazës, raportoi stafi mjekësor më 14 shtator.

Në mesin e viktimave ishin edhe 12 fëmijë, sipas spitalit Shifa, ku u dërguan trupat e viktimave.

Një nga sulmet ajrore, që u kryen gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit, goditi një shtëpi në lagjen Sheik Radvan, duke vrarë një familje 10-anëtarëshe, përfshirë një nënë me tre fëmijët e saj, thanë zyrtarët shëndetësorë.

Asociacioni palestinez i Futbollit tha se lojtari i klubit Al-Helal, Mohammed Ramez Sultan u vra gjatë sulmeve së bashku me 14-anëtarë të familjes së tij.

Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar për këto sulme.

Ditëve të fundit, Izraeli ka intensifikuar sulmet ajrore në mbarë Qytetin e Gazës, duke shkatërruar ndërtesa shumëkatëshe dhe duke akuzuar Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – se në to ka vendosur pajisje për vëzhgim, informon media.

Izraeli ka thënë se synon të marrë kontrollin e plotë të Qytetit të Gazës – zonës më të madhe urbane në Rripin e Gazës – ku, sipas Kombeve të Bashkuara jetojnë 1 milion persona dhe ku është shpallur gjendje e urisë.

Një ditë më parë, ushtria tha se ka goditur një ndërtesë shumëkatëshe në Qytetin e Gazës që pretendoi se përdorej nga Hamasi. Izraeli ka urdhëruar banorët që të largohen nga Qyteti i Gazës për shkak të ofensivës.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi më 7 tetor 2023 sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë. Si pasojë e ofensivës hakmarrëse izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 64.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë – shifra që konsiderohen të besueshme nga OKB-ja.