TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një nxënës ka sulmuar me thikë një asistente edukative gjatë një kontrolli çantash të ushtruar nga xhandarmëria para një shkolle të mesme në Nogent, në departamentin Haute-Marne të Francës. Gruaja ndërroi jetë pas shtrimit në spital. Lajmi raportohet nga televizioni BFMTV.
Asistentja ishte 31 vjeçe, ndërsa nxënësi rreth 15 vjeç. Motivet e këtij akti të dhunshëm nuk dihen ende. Nxënësi është ndaluar dhe ndodhet në ambientet e xhandarmërisë. Sipas Bfmtv, një oficer policie është lënduar në dorë gjatë arrestimit.
Macron: Komb në zi, do të ndalojmë blerjen e thikave nga adoleshentët
Presidenti francez Emmanuel Macron ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e punonjëses në shkollën Françoise Dolto në Nogent. “Kombit i është shtuar një plagë – një asistente humbi jetën duke ruajtur fëmijët tanë, viktimë e një vale dhune absurde. Qeveria është e angazhuar për të luftuar krimin,” tha Macron.
Ai njoftoi gjithashtu masa të reja: “Do të ndalojmë shitjen e këtyre armëve të ftohta. Një 15-vjeçar nuk do të mund të blejë më një thikë në internet. Nuk është e pranueshme që një adoleshent të mbajë me vete një armë prerëse në rrugë apo në shkollë. Për këtë janë përgjegjës prindërit dhe shitësit.”
Ministrja e Arsimit: Një dramë e tmerrshme
Ministrja franceze e Arsimit, Élisabeth Borne, e ka cilësuar ngjarjen si “një dramë e tmerrshme” dhe njoftoi se do të udhëtojë drejt vendngjarjes. “Një asistente edukative është sulmuar me thikë nga një nxënës i shkollës. Shpreh gjithë mbështetjen time për viktimën dhe të afërmit e saj. Falënderoj ata që ndërhynë me gjakftohtësi për të ndaluar agresorin dhe për të mbrojtur nxënësit dhe stafin.”
Macron: Do ndalojmë edhe rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç
Presidenti Macron paralajmëroi gjithashtu masa ndaj përdorimit të rrjeteve sociale nga të miturit. “Nëse nuk vepron Bashkimi Evropian, do t’ua ndalojmë vetë përdorimin e rrjeteve sociale fëmijëve nën 15 vjeç,” tha ai.