BOTA, 20 Qershor 2023, 11:01

Nëndetësja turistike e zhdukur në Oqeanin Atlantik, kush janë biznesmenët që paguan 250 mijë dollarë për të parë Titanikun

Nëndetësja turistike e zhdukur në Oqeanin Atlantik, kush
Nëndetësja turistike dhe disa prej turistëve në bord

Ekipet e kërkimit, amerikane dhe kanadeze, po luftojnë me kohën, për të gjetur një nëndetëse me turistë që është zhdukur në thellësitë e Atlantikut, që prej të dielës.

5 vetë në bord kanë humbur çdo kontakt me botën jashtë, 1 orë e 45 minuta pasi nëndetësja është zhytur në ujë. Operacioni vijon prej 24 orësh, por deri tani nuk ka asnjë gjurmë të tyre.

Sipas ekipeve të kërkimit, pas të dielës, 5 personat në bord kanë vetëm 4 ditë oksigjen, që do të thotë edhe 3 të mbetura. Mes tyre, në bord është edhe biznesmeni miliarder britanik, Hamish Harding. Ky i fundit ishte mes 3 turistëve të tjerë, që kishin paguar biletën 250 mijë dollarë për t’u zhytur e për t’i parë sa më nga afër rrënojat e Titanikut.

Nëndetësja ndiqet nga pas edhe nga një nëndetëse më e vogël dhe në çdo rast mund të shkëmbejë mesazh me këtë të fundit, por kurrsesi nën ujë nuk mund të ketë komunikim me GPS apo edhe përmes radios.

Kompania “OceanGate” është e vetmja deri më sot që ofron 3 nëndetëse të afta për t’u zhytur mjaftueshëm në ujërat e Atlantikut për të parë nga afër Titanikun. Nëndetësja peshon 10 ton dhe mund të zhytet deri në 4000 metra. Ky është misioni i parë i “OceanGate” për këtë vit, ndërsa për 2024 janë parashikuar edhe 2 udhëtime të tjera 8-ditore në rrënojat e Titanikut. 

Në bord të nëndetëses janë edhe biznesmeni pakistanez, Shahzad Dawood, dhe djali i tij Sulemani. Me këtë nëndetëse po ashtu besohet po udhëtonte edhe eksploruesi francez, Paul-Henry Nargeolet. Raportohet se shefi ekzekutiv i OceanGate – kompania që ka organizuar këtë zhytje – është në bordin e nëndetëses. “Tani, fokusi jonë është që të kemi sa më shumë kapacitete në atë zonë”, tha admirali i Rojeve Bregdetare amerikane, John Mauger.

Avionë ushtarakë, nëndetëse sonare janë përfshirë në kërkimin e nëndetëses. Pjesë të anijes së fundosur të Titanikut gjenden 700 kilometra në jug të Njufoundlend. Nëndetësja e zhdukur komunikon me një anije mbi sipërfaqen e ujit përmes teksteve të shkurtra. Por, komunikimi përmes GPS dhe sistemeve të radios nuk është i mundur. Personat që gjenden brenda nëndetëses nuk mund të dalin vetë nga ajo, sepse ata janë të mbyllur brenda me bulona që vendosen nga jashtë.