BOTA, 30 Tetor 2025, 18:45

Macron arrin nivelin më të ulët të popullaritetit në Francë që prej viteve ’70, barazohet me François Hollande

Macron arrin nivelin më të ulët të popullaritetit në

Presidenti francez Emmanuel Macron ka arritur tashmë nivelin më të ulët të popullaritetit të regjistruar në Francë gjatë 50 viteve të fundit, duke u barazuar me ish-presidentin François Hollande në rekordin negativ të vetëm 11% mbështetje.

Sipas një sondazhi të realizuar nga Verian Group me pjesëmarrjen e 1.000 qytetarëve dhe të publikuar nga Le Figaro, vetëm një në dhjetë francezë shprehet i kënaqur me mënyrën se si Macron po qeveris vendin.

Hollande kishte arritur të njëjtin nivel në fund të vitit 2016, pak para se të njoftonte se nuk do të kandidonte për një mandat të dytë presidencial. Sipas Politico, kjo është shifra më e ulët e miratimit për një president francez që prej fillimit të viteve 1970, kur nisën matjet mujore të opinionit publik.

Reformat e diskutueshme e kanë rrëzuar mbështetjen

Rënia e popullaritetit të Macron lidhet kryesisht me reformat e kundërshtuara të pensioneve, që rritën moshën e daljes në pension, si dhe me krizën politike që shpërtheu pas zgjedhjeve evropiane të majit 2024, kur qeveria humbi shumicën parlamentare.

Një tjetër sondazh i Ipsos, i publikuar në tetor, i jep Macron-it 19% mbështetje, ende shumë pranë nivelit më të ulët historik të Hollande prej 13% në vitin 2014. Ndërkohë, një anketë e Odoxa tregon se vetëm 20% e francezëve e konsiderojnë Macron “një president të mirë”.

Kritika nga brenda kampit të tij

Një ish-këshilltar i Macron, që foli në kushte anonimiteti për Politico, tha se “presidenti është i fiksuar pas sondazheve” dhe “do të duhej të ishte i verbër ose i shurdhër për të mos kuptuar se është i papëlqyer”. Ai shtoi se Macron “nuk arrin të kuptojë plotësisht pasojat sociale që sjellin reformat që ai i konsideron të domosdoshme për vendin”.

Krizë popullariteti edhe për liderët e tjerë evropianë

Macron nuk është i vetmi lider evropian që përballet me rënie të mbështetjes.
Në Britani, kryeministri Keir Starmer ka mbështetje nën 20%, ndërsa në Gjermani, lideri konservator Friedrich Merz ndodhet rreth nivelit të 25%.