TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Autoritetet ruse kanë dënuar sot këngëtaren e re Diana Loginova, e njohur me emrin artistik “Naoko”, me 13 ditë burg, pasi kishte interpretuar këngë kundër luftës në Ukrainë në një performancë publike në Shën Petersburg.
Loginova, vetëm 18 vjeç, u arrestua më 15 tetor bashkë me dy anëtarë të grupit të saj StopTime, pasi kishin kënduar në rrugë këngë të muzikantëve rusë që kundërshtojnë politikat e Kremlinit.
Fillimisht ajo u dënua me 13 ditë burg për “prishje të rendit publik” dhe më pas u gjobit për “fyerje të ushtrisë ruse”. Por, në vend që të lirohej pas vuajtjes së dënimit, u arrestua sërish dhe sot një gjykatë vendosi edhe 13 ditë të tjera burg, njoftoi avokatja e saj Maria Zyrjanova për agjencinë AFP.
Sipas avokates, këngëtarja u shpall fajtore për “prishje të qetësisë publike” gjatë një koncerti rrugor dhe për “përdorim të gjuhës banale” në një prej këngëve.
Edhe kitaristi i grupit, Aleksandër Orlov, u dënua sot me të njëjtën masë, 13 ditë burg.
Para vendimit të fundit, Loginova publikoi një video nga salla e gjyqit në Telegram, ku falënderoi mbështetësit e saj dhe njoftoi, së bashku me kitaristin, se do të martohen. Sipas mediave lokale, Orlov i kishte bërë propozimin për martesë më 17 tetor, në një furgon transporti të burgosurve.
Loginova ka interpretuar këngë të artistëve rusë që janë larguar nga vendi në shenjë proteste ndaj agresionit rus ndaj Ukrainës, i cili nisi në vitin 2022.
Organizata për të drejtat e njeriut OVD-Info e cilësoi këtë praktikë të dënimeve të njëpasnjëshme me afat të shkurtër si “karusel burgimesh”, një metodë që synon “të frikësojë të burgosurit dhe t’i detyrojë të ndalin aktivitetet e tyre publike”, sipas zëdhënësit Dmitri Anisimov.
Që prej fillimit të luftës kundër Ukrainës, autoritetet ruse kanë miratuar ligje të reja për të heshtur çdo zë kritik ndaj luftës, madje edhe për deklarata private apo postime në rrjete sociale.