BOTA, 20 Prill 2022, 23:44

Le Pen kërkon të ndalojë hixhabin në Francë, përplasje në debatin Presidencial

Le Pen kërkon të ndalojë hixhabin në Francë,
Macron dhe Le Pen

Mbrëmjen e sotme (e mërkurë) është mbajtur debati Presidencial në Francë, mes dy kandidatëve Emanuel Macron dhe Marine Le Pen, katër ditë përpara se francezët t'u drejtohen kutive të votimit. 

Një nga pikat e nxehta të debatit, që ka prodhuar polemika në Francë, është zotimi i Le Pen se ajo do të ndalojë hixhabin, pra shaminë që mbajnë gratë besimtare myslimane. 

Le Penn e bëri të qartë gjatë debatit se ky është qëllimi i saj dhe se shamia nuk do të lejohet në asnjë vend publik. 

Macron e quajti këtë një shkelje të Kushtetutës franceze dhe një "tradhti ndaj vlerave franceze". 

Macron i tha kundërshtares se plani i saj, do të thotë që policia duhet të ndjekë nga pas vajzat dhe gratë me shami, për t'i gjobitur. Ndërkohë që Le Penn, deklaroi se policia e ka bërë një gjë të tillë me personat që nuk vendosnin maskën për mbrojtjen nga koronavirusi. 

Le Pen gjithashtu premtoi një referendum, ku francezët do të vendosin se kush mund të qëndrojë dhe kush duhet të largohet nga Franca. Ajo e quajti imigrimin në Francë një "anarki". 

Gjatë debatit Macron i kujtoi kundërshtares së tij, borxhin a marrë nga një bankë ruse duke deklaruar; "Ti po flet me bankierin tënd kur i referohesh Rusisë!". 

Le Pen tha se partia e saj e mori këtë borxh, për shkak se bankat ruse nuk i jepnin hua. 

Një tjetër pikë e nxehtë e debatit, ishte propozimi i Macron për rritjen e moshës së pensionit nga 62 në 65 vjeç, të cilën rivalja e tij e kundërshton. 

Po kështu edhe debati për ndryshimet klimatike, ku Macron e akuzoi Le Pen si një "skeptike e ndryshimeve klimatike". 

Le Pen është mbrapa Presidentit aktual në sondazhe, por milionë votues janë ende të pavendosur. Debatet Presidenciale konsiderohen mjaft të rëndësishme për të tërhequr votuesit e pavendosur.