BOTA, 29 Qershor 2026, 12:15

Ku përfunduan?! Fluturimet, në vitin 2025 humbën përgjithmonë 24 milionë valixhe, Europa më problematikja, këto janë shkaqet

Ku përfunduan?! Fluturimet, në vitin 2025 humbën

Vitin e kaluar, çdo ditë humbën pa lënë gjurmë 2.500 bagazhe në aeroportet e gjithë botës dhe nuk u gjetën më kurrë. Askush nuk e di se ku përfunduan (ose kush i mori), pasi pasagjerët i dorëzuan në sportelet e check-in-it për t’u transportuar në bagazhierën e avionit. Përveç tyre, mbi 63 mijë bagazhe në ditë mbërritën me vonesë ose të dëmtuara. Këto janë disa nga të dhënat më interesante që dalin nga edicioni i ri i raportit “Baggage IT Insights” i Sita, organizata teknologjike e transportit ajror.

Çfarë është përmirësuar

Lajmi i mirë është se, në shkallë globale, gjatë vitit 2025 norma e bagazheve të keqmenaxhuara ra me pothuajse një të katërtën krahasuar me një vit më parë, duke zbritur në 4,9 bagazhe për çdo një mijë pasagjerë të transportuar. Numri i përgjithshëm i bagazheve të keqmenaxhuara u ul me 19%, nga 30 në 24 milionë. Ky është niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë jashtë periudhës së pandemisë, kur rënia e trafikut ajror kishte boshatisur aeroportet.

Çfarë nuk shkon mirë

Lajmi i keq për europianët është se Europa mbetet rajoni më problematik, me pothuajse 12 milionë bagazhe të humbura, të vonuara ose të keqmenaxhuara. Praktikisht, gjysma e rasteve në botë regjistrohen në kontinentin europian, me një normë prej 10,5 bagazhesh për çdo një mijë udhëtarë. Problemet ndodhin kryesisht në fluturimet ndërkombëtare. Bëhet fjalë për bagazhet e dorëzuara në check-in dhe të transportuara në bagazhierën e avionit, jo për ato që pasagjerët mbajnë në kabinë.

Krahasimi me vitin 2007

Nëse krahasohet me vitin 2007, përmirësimi është edhe më i dukshëm. Atëherë regjistroheshin 18,9 bagazhe të keqmenaxhuara për çdo një mijë pasagjerë. Në gati 20 vjet, industria ajrore e ka ulur këtë tregues me afro tre të katërtat, ndërkohë që numri i pasagjerëve është dyfishuar. Si pasojë, kostot totale ranë me 17%, nga 7,7 në 6,3 miliardë dollarë. Megjithatë, shifra mbetet ende shumë e lartë.

Ndikimi ekonomik

Për të kuptuar peshën e këtij problemi, mjafton një krahasim: fitimi total i industrisë ajrore për vitin 2025 është rreth 41 miliardë dollarë. Vetëm bagazhet e keqmenaxhuara gërryejnë rreth 15% të këtij fitimi.

“Duke pasur parasysh se fitimi neto mesatar për pasagjer është vetëm 8 dollarë, çdo valixhe e humbur përfaqëson të ardhurat e më shumë se 30 biletave të shitura”, tha David Lavorel, CEO i Sita. “Pesë bagazhe të humbura mund të zhdukin fitimin e një fluturimi të tërë.”

Sa kushton një bagazh i humbur

Kostoja mesatare e një bagazhi të keqmenaxhuar është 260 dollarë. Një bagazh i dorëzuar me vonesë kushton mesatarisht 245 dollarë, një i dëmtuar 255 dollarë, ndërsa një bagazh i humbur përgjithmonë arrin në 635 dollarë.

Bagazhet e dëmtuara përbëjnë 20% të kostove totale, ose rreth 1,3 miliardë dollarë, dhe 21% të rasteve. Bagazhet e humbura përgjithmonë janë vetëm 4% e rasteve, por gjenerojnë 10% të kostove totale, për shkak të dëmshpërblimeve që arrijnë mesatarisht në 420 dollarë për çdo rast.

Nga vonesat te gabimet teknike

Vonesat mbeten problemi kryesor. Ato përfaqësojnë 75% të të gjitha rasteve, ose 18,2 milionë bagazhe, dhe 70% të kostove, rreth 4,4 miliardë dollarë.

Shkaku kryesor janë transferimet mes fluturimeve. Në vitin 2025, 39% e rasteve ndodhën sepse bagazhi nuk arriti të transferohej në kohë në fluturimin pasues, një përmirësim i lehtë krahasuar me 41% në vitin 2024. Më pas renditen gabimet në procedurat e biletimit dhe sigurisë (18%) si edhe rastet kur bagazhet nuk ngarkohen fare në avion (16%).

Aeroporte më të reja, më pak probleme

Jo të gjitha rajonet kanë të njëjtat probleme. Azia dhe Paqësori regjistron normën më të ulët në botë, me 3,41 bagazhe të keqmenaxhuara për çdo një mijë pasagjerë, ndërsa kostoja mesatare për bagazh është 210 dollarë. Edhe Lindja e Mesme paraqitet mirë, me një normë prej 5 bagazhesh për çdo një mijë udhëtarë.

Sipas raportit, të dy rajonet përfitojnë nga infrastruktura më moderne dhe përdorimi më i hershëm i teknologjive të reja. Europa dhe Amerika e Veriut vazhdojnë të kenë më shumë probleme, me një kosto mesatare prej 295 dollarësh për bagazh.

Roli i teknologjisë

Për të ulur më tej numrin e rasteve, kompanitë ajrore dhe aeroportet po investojnë në sisteme të inteligjencës artificiale që janë në gjendje të ridrejtojnë automatikisht bagazhet kur një fluturim ndryshon portën e imbarkimit ose anulohet, të optimizojnë lëvizjen në shiritat transportues, të parashikojnë defektet mekanike përpara se të ndodhin, të vlerësojnë kohën e mbërritjes dhe të sinjalizojnë problemet në kohë reale. Këtyre u shtohen edhe pajisjet personale të gjurmimit, si AirTag i Apple./CorrieredellaSera