BOTA, 25 Gusht 2025, 11:31

Krushku i Trump/ Akuzat për antisemitizëm, Franca thërret ambasadorin amerikan Kushner në Paris. Letra që mund të tensionojë raportet SHBA-Francë

Krushku i Trump/  Akuzat për antisemitizëm, Franca thërret

Marrëdhëniet mes Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë tensionuar pas një deklarate të ambasadorit amerikan në Paris, Charles Kushner, krushku i Trump, i cili akuzoi Francën për mosveprim të mjaftueshëm ndaj rritjes së antisemitizmit në vend.

Ministria e Jashtme e Francës njoftoi se e ka thirrur zyrtarisht ambasadorin Kushner për një takim sqarues të hënën, duke i cilësuar akuzat e tij si “të papranueshme” dhe një ndërhyrje në punët e brendshme të Francës.

Çfarë tha Kushner?

Në një letër të drejtuar presidentit Emmanuel Macron, Charles Kushner u shpreh se Franca nuk po vepron me vendosmëri kundër antisemitizmit, duke i lidhur qëndrimet franceze për njohjen e shtetit palestinez me një klimë që, sipas tij, “i jep guxim ekstremistëve dhe rrezikon jetën hebraike” në vend.

Letra u publikua të dielën vonë dhe shkaktoi reagim të menjëhershëm në Paris. Ministria franceze e Punëve të Jashtme u shpreh në një deklaratë se akuzat “minojnë partneritetin transatlantik dhe besimin mes aleatëve”.

Reagimi i SHBA

Departamenti Amerikan i Shtetit, nëpërmjet zëdhënësit Tommy Pigott, konfirmoi mbështetjen për ambasadorin Kushner, duke deklaruar se ai është “përfaqësuesi zyrtar i qeverisë amerikane dhe po bën një punë të shkëlqyer” në avancimin e interesave të SHBA në Francë.

Franca: Akuzat janë të pabaza

Ministria franceze theksoi se autoritetet janë “plotësisht të mobilizuara” për të luftuar antisemitizmin, sidomos pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, dhe e cilësoi antisemitizmin si “të patolerueshëm”. Sipas saj, Franca hedh poshtë çdo akuzë për mosveprim dhe riafirmon angazhimin e saj të fortë në mbrojtje të komunitetit hebraik.

Kjo përplasje diplomatike vjen pas deklaratave të fundit të Macron, i cili refuzoi akuzat e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, se Franca po nxit antisemitizmin me synimin e saj për të njohur shtetin palestinez.

Franca, vend me popullsinë më të madhe hebraike në Evropë (rreth 500.000), ka qenë nën presion të dyanshëm për qëndrimet e saj në konfliktin Izrael-Palestinë.

Nga ana tjetër, ndarjet mes Parisit dhe Uashingtonit për çështje të tjera ndërkombëtare – përfshirë mbështetjen ndaj Ukrainës – kanë filluar të zbuten kohët e fundit, pas një takimi miqësor mes Trump dhe Macron në Shtëpinë e Bardhë.

Kushner paralajmëron Macron, letra që mund të tensionojë raportet SHBA-Francë

Charles Kushner, ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Francë, ka thyer heshtjen që nga mbërritja e tij në Paris në fillim të korrikut. E para e tij nismë publike ka potencialin të tensionojë marrëdhëniet mes presidentit francez Emmanuel Macron dhe presidentit amerikan Donald Trump.

Në një letër të datës 25 gusht, e publikuar nga mediat më 24 gusht, Kushner, paralajmëron Macron për rritjen shqetësuese të antisemitizmit në Francë.

“Shkruaj me shqetësim të thellë për rritjen dramatike të antisemitizmit dhe mungesën e veprimeve të mjaftueshme nga qeveria juaj,” thekson Kushner.

Letra vjen pak ditë pas një paralajmërimi të ngjashëm nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili kritikoi planet e Francës për të njohur Shtetin e Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Netanyahu tha se mbështetja për Palestinën “frymëzon urrejtjen ndaj hebrenjve dhe fuqizon Hamasin”.

Kushner është në të njëjtin mendim me Netanyahu-n. Ai thekson se deklaratat publike kundër Izraelit dhe hapja për njohjen e shtetit palestinez “inspirojnë ekstremistët, ushqejnë dhunën dhe rrezikojnë jetën e hebrenjve në Francë”. Ambasadori amerikan nënvizon se “Presidenti Trump dhe ai kanë fëmijë hebrenj dhe nipër hebrenj. E di se si ndihet për antisemitizmin, ashtu si të gjithë amerikanët.”

Kushner, i jep sugjerime të qarta Presidentit Macron: zbatimi i ligjeve kundër urrejtjes, siguria e shkollave, sinagogave dhe bizneseve hebreje, ndëshkimi i sulmuesve dhe heqja e çdo hapësire që i jep legjitimitet Hamasit!

Kjo lëvizje, dhe tonet e letrës, reflektojnë qëndrimin e administratës Trump kundër planeve franceze për njohjen e Shtetit të Palestinës, në një kohë kur diplomacia franceze synon të marrë mbështetjen edhe të vendeve si Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia.