BOTA, 12 Dhjetor 2024, 10:19

Kreu i rebelëve sirianë zotohet të mbyllë burgjet famëkeqe të Assadit: Do ndjek të gjithë ata që janë përfshirë në torturat e të dënuarve

Kreu i rebelëve sirianë zotohet të mbyllë burgjet

Forcat rebele siriane kanë deklaruar se po planifikojnë të mbyllin burgjet famëkeqe të drejtuara nga presidenti i rrëzuar Bashar al-Assad.

Mijëra të burgosur u liruan nga burgu Saydnaya
Udhëheqësi i forcave rebele siriane është zotuar të ndjekë të gjithë ata që janë përfshirë në vrasjen ose torturimin e të burgosurve, raporton BBC.

Udhëheqësi rebel Ahmed al-Sharaa, i njohur gjithashtu si Abu Mohammed al-Jolani, tha se do të shpërndajë forcat e sigurisë të regjimit të mëparshëm, në një deklaratë të parë nga agjencia e lajmeve Reuters.

Videot që tregojnë mijëra të burgosur duke u liruar nga burgu Saydnaya – i referuar si një “thërtore njerëzore” nga grupet e të drejtave – u shfaqën pas rënies së qeverisë së Asadit të dielën.

Pothuajse 60,000 njerëz u torturuan dhe u vranë në burgjet e drejtuara nga Assad, tha grupi monitorues me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Grupi militant islamik i Jolanit, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), udhëhoqi grupet e tjera rebele siriane në një ofensivë të rrufeshme që rrëzoi sundimin 54-vjeçar të dinastisë Assad.

Assad u largua në Rusi në orët e para të së dielës, ku ai dhe familja e tij kanë marrë azil, pasi rebelët pushtuan kryeqytetin Damaskun.

Në një deklaratë të veçantë, Jolani tha se nuk mund të flitet për falje për ata që morën pjesë në torturimin, apo vrasjen e të burgosurve.

“Ne do t’i ndjekim ata në Siri dhe kërkojmë nga vendet që të dorëzojnë ata që ikën në mënyrë që të arrijmë drejtësinë,” tha ai.

Që nga rënia e presidentit Bashar al-Assad, sirianët kanë nxituar drejt burgjeve famëkeqe të regjimit, duke kërkuar për të afërmit e tyre.

Në një raport të vitit 2022, Shoqata e të Paraburgosurve dhe të Zhdukurve në Burgun e Saydnaya (ADMSP) me bazë në Turqi tha se Saydnaya “u bë në mënyrë efektive një kamp vdekjeje” pas fillimit të luftës civile në 2011.

Jolani tha gjithashtu se ai do të shpërndajë forcat e sigurisë të ish regjimit të Asadit.