BOTA, 22 Dhjetor 2023, 17:12

“Kishte gjak në të gjithë fakultetin”/ Dëshmia tronditëse nga sulmi në Pragë: Bllokova derën kur dëgjova ulërimat

“Kishte gjak në të gjithë fakultetin”/ Dëshmia

Të tjera dëshmi tronditëse vijnë nga ngjarja e rëndë që ndodhi dje në Pragë. Radek Samik po jepte mësim në një klasë në Universitetin Charles të Pragës ditën e djeshme kur një person i armatosur hyri në ndërtesë dhe filloi të qëllonte pa dallim. I vetëdijshëm se diçka nuk shkonte, ai dhe studentët e tij qëndruan në klasë, pa mundur të largoheshin, ndërsa personi i armatosur kreu sulmin masiv më të rëndë në historinë çeke.

14 njerëz u vranë dhe 25 të tjerë u plagosën, tha policia çeke. Në një klasë në një kat më të lartë ishte Jakob Weizman, një gazetar dhe student në këtë  universitet. Ai ishte në provimin e gjuhës në një dhomë të vogël, i shoqëruar nga një mësues, kur dëgjoi “të shtëna armësh” dhe “ulërima”.

Të përballur me panikun, të dy u mbyllën në klasë. Ai postoi një foto në X, e njohur më parë si Twitter, duke treguar se si ata përdorën karriget dhe tavolinat për të bllokuar derën. Pesë minuta më vonë, personi i armatosur u përpoq të hapte derën e klasës së tyre. “Ai po kalonte nëpër çdo klasë për të parë nëse njerëzit ishin aty për t’i qëlluar,” tha Weizman për The Guardian.

Ai dhe profesori u evakuuan përfundimisht nga policia. “Ndërsa po dilnim jashtë, kishte vetëm gjak në të gjithë fakultetin”, u shpreh ai. Gjatë sulmit, pamjet e postuara në mediat sociale treguan njerëz që vareshin nga parvazi i ballkonit, përpara se të hidheshin disa metra lartësi për t’i shpëtuar të shtënave. Një tjetër video e postuar në mediat sociale tregonte dikë që ndodhej jashtë ndërtesës duke i bërtitur personit të armatosur, i cili kishte hyrë në ballkonin e ndërtesës, në një përpjekje për të tërhequr vëmendjen e agresorit.