BOTA, 18 Tetor 2023, 11:58

Sulmi mbi spitalin e Gazës, Biden takon Netanyahun: Duket që u krye nga një ekip tjetër, jo nga Izraeli

Sulmi mbi spitalin e Gazës, Biden takon Netanyahun: Duket që u krye

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka takuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahun, të cilit iu zotua për mbështetjen amerikane.

“Doja të isha këtu sot për arsyen e thjeshtë që dua që populli i Izraelit, njerëzit e botës të dinë se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah jush. Doja të vija personalisht dhe ta bëja të qartë këtë”, tha Biden.

Nga Izraeli, Biden tha se shpërthimi që vrau qindra persona në spitalin e Gazës duket se nuk është shkaktuar nga Izraeli, shkruan CNN.

“Bazuar në atë që kemi parë, duket se u krye nga një ekip tjetër, e jo ju”, tha Biden, gjatë takimit me Netanyahun.

Presidenti dënoi sulmin e Hamasit të 7 tetorit ndaj Izraelit, duke thënë se grupi ka “kryer të këqija, mizori që e bëjnë ISIS-in të duket disi më racional”.

Por ai pranoi se ndërsa Izraeli ka të drejtë të mbrohet, “duhet të kemi parasysh gjithashtu se Hamasi nuk përfaqëson të gjithë popullin palestinez dhe i ka sjellë atyre vetëm vuajtje”.

Netanyahu, nga ana e tij, falënderoi Biden për vizitën e tij, duke theksuar: “Vizita juaj këtu është vizita e parë e një presidenti amerikan në Izrael në një kohë lufte”.

“Është thellësisht, thellësisht prekëse, angazhimi juaj personal ndaj Izraelit, flet për thellësinë e angazhimit tuaj personal ndaj të ardhmes së popullit hebre dhe shtetit të vetëm hebre”, tha ai.

“Kështu që unë e di që flas në emër të të gjithë popullit të Izraelit kur them faleminderit, zoti President.”

Netanyahu tha: “Ka vetëm një gjë më të mirë se të kesh një mik të vërtetë si ti që qëndron me Izraelin, dhe kjo është të jesh në Izrael.”

Izraeli është zotuar të zhdukë Hamasin, grupin islamik që kontrollon Gazën, në përgjigje të sulmeve terroriste të 7 tetorit që vranë 1400 njerëz.