BOTA, 17 Tetor 2023, 20:05

Bilanc tragjik, mbi 500 të vrarë nga një sulm në një spital të Gazës

Bilanc tragjik, mbi 500 të vrarë nga një sulm në një

Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha të martën se Ushtria e Izraelit e ka bombarduar një spital në Qytetin e Gazës, i cili ishte i mbushur me të plagosur dhe me palestinezë të tjerë që po kërkonin strehim, duke i vrarë qindra prej tyre.

Ushtria izraelite ka mohuar që të jetë përgjegjëse për këtë sulm, duke ia faturuar militantëve palestinezë. 

Në fotografitë e publikuara në rrjetet sociale shihet zjarr i madh në dhomat e Spitalit al-Ahli, xhama të thyer dhe copa të trupave të njerëzve nëpër zonë.

Ministria tha se të paktën 500 persona janë vrarë.

Shumë spitale në Qytetin Gaza janë shndërruar në kampe refugjatësh për qindra njerëz, të cilët shpresojnë se Izraeli do t’i kursejë nga bombardimet, pasi i kishte urdhëruar të gjithë banorët e këtij qyteti dhe zonave përreth të largoheshin në drejtim të pjesës jugore të Rripit të Gazës.