BOTA, 23 Qershor 2023, 14:55

Hetimi për nëndetësen e zhdukur Titan, si do të zbulohet se çfarë ka ndodhur realisht?

Hetimi për nëndetësen e zhdukur Titan, si do të zbulohet se

Pas zbulimit të mbetjeve nga nëndetësja Titan në fundin e oqeanit, fokusi i përpjekjeve të shpëtimit tani do të kthehet drejt të kuptuarit se çfarë e shkaktoi aksidentin.

Sipas admiralit John Mauger, ajo që ata gjetën përputhej me një “shpërthim katastrofik”.
Kjo për shkak se ata gjetën dy copa mbetjesh, njëra që përmbante konin e bishtit të Titanit dhe tjetra kornizën e uljes, duke sugjeruar se nëndetësja shpërtheu.

Për t’iu përgjigjur pyetjes se pse ndodhi kjo dhe çfarë mund të ishte bërë për ta parandaluar atë, autoritetet do të mbledhin çdo pjesë të mbetjeve që mund të gjejnë, sipas Ryan Ramsey, ish-kapiten i nëndetëseve në Marinën Mbretërore të Britanisë.

“Nuk ka kuti të zezë, kështu që nuk do të mund të gjurmohen lëvizjet e fundit të vetë nëndetëses”, thotë ai, por procesi i hetimit nuk është i ndryshëm nga ai i një përplasjeje avioni.

Sapo hetuesit t’i sjellin pjesët përsëri në sipërfaqe, ata do të kërkojnë strukturën e thyerjes në strukturën e fibrës së karbonit, e cila është thelbësore për t’i ndihmuar ata të kuptojnë se çfarë ndodhi në momentet e fundit, thotë ai. Çdo pjesë do të ekzaminohet nga afër nën një mikroskop për të parë drejtimin e fijeve të fibrave të karbonit, duke kërkuar për krisje që sugjerojnë vendin e saktë ku ka ndodhur këputja.

Pyetja e madhe që hetuesit do të përpiqen t’i përgjigjen është se nëse shkaku ishte një dështim strukturor. Nëse do të ishte, atëherë nëndetësja do t’i ishte nënshtruar presioneve tepër të larta, ekuivalente me peshën e Kullës Eifel, thotë profesor Blair Thornton nga Universiteti i Southampton.

“Po flasim për një shpërthim shumë të fuqishëm të pjesëve kryesore,” thotë ai.
Nëse kjo është ajo që ka ndodhur, pyetja kritike është nëse kjo ishte për shkak të mungesës së testimit të duhur, siç kanë sugjeruar disa ekspertë.

“Fibra e karbonit dështon nga defektet e brendshme në ndërtimin e saj”, thotë profesori Roderick A Smith i Imperial College në Londër. “Lidhjet midis fibrës së karbonit dhe titanit kanë nevojë për inspektim shumë të kujdesshëm. Fuqia e shpërthimit do të thotë se mund të jetë shumë e vështirë të përcaktohet sekuenca e ngjarjeve. Prandaj lind nevoja për rimarrje dhe ekzaminim të detajuar nëse është e mundur.” Në këtë fazë është e paqartë se cila agjenci do të drejtojë hetimin pasi nuk ka asnjë protokoll për incidente të tilla.