TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Qeveria gjermane ka reaguar me shqetësim të madh ndaj shkeljes së hapësirës ajrore të Polonisë nga dronë rusë, duke e cilësuar si një “incident shumë, shumë serioz”.
Zëdhënësi i qeverisë në Berlin, Sebastian Hille, tha se autoritetet gjermane janë në kontakt të ngushtë me homologët polakë dhe se ngjarja tregon qartë për natyrën e kërcënimeve me të cilat po përballet aktualisht Aleanca.
“Kjo ngjarje tregoi edhe një herë se me çfarë lloj kërcënimi po përballemi dhe sa shumë Rusia po na teston,” deklaroi Hille.
Ai e cilësoi si të justifikuar kërkesën e Polonisë për aktivizimin e Nenit 4 të NATO-s, që parasheh konsultime urgjente mes aleatëve në rast të kërcënimeve për sigurinë.
“Sipas nesh, kjo është plotësisht e justifikueshme dhe vë në pah se sa seriozisht ne si aleatë duhet ta marrim këtë incident,” – theksoi zëdhënësi i qeverisë gjermane.
Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul reagoi me tone të ashpra gjatë një konference për shtyp në Berlin, ku tha se Rusia ka ndërmarrë një “përshkallëzim të rrezikshëm”.
“Pas tre vjetësh lufte në Ukrainë, Moska ende nuk është e gatshme të negociojë seriozisht. Është e kundërta – Kremlini dëshiron ta nënshtrojë Ukrainën me çdo mjet të mundshëm,” – u shpreh ai.
Wadephul shtoi se Gjermania dhe aleatët do të japin një përgjigje të qartë dhe të koordinuar, duke nënkuptuar një qëndrim më të fortë diplomatik dhe ushtarak ndaj veprimeve ruse.