BOTA, 9 Shtator 2025, 19:15

Bandat i përdorin fëmijët si vrasës me pagesë, Suedia zbret në 14 vjeç moshën e dënimit për të miturit

Bandat i përdorin fëmijët si vrasës me pagesë, Suedia

Suedia do të ulë moshën e përgjegjësisë penale nga 15 vjeç që është aktualisht, tha kryeministri Ulf Kristersson më 9 shtator, pas një rritjeje të rasteve të bandave kriminale që rekrutojnë fëmijë nëpërmjet mediave sociale dhe i përdorin ata si vrasës me pagesë.

Numri i të rinjve nën 15 vjeç të dyshuar për vrasje, ndihmë dhe inkurajim në vrasje ose tentativë vrasjeje ishte 93 në gjashtë muajt e parë të vitit 2024, sipas të dhënave të fundit zyrtare, tre herë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Një hetues i emëruar nga qeveria rekomandoi në vitin 2025 që mosha e përgjegjësisë penale të ulet në 14 vjeç në rastet e krimeve veçanërisht të rënda, por zoti Kristersson nuk tha nëse qeveria e tij do ta ndiqte këtë rekomandim.

“Fëmijët po shfrytëzohen pa mëshirë nga rrjetet kriminale për të kryer krime të rënda”, tha ai në një fjalim vjetor mbi politikat, ndërsa Parlamenti u rihap pas pushimeve verore.

“Si për të mbrojtur këta fëmijë ashtu edhe viktimat e tyre të mundshme, qeveria po ndërmerr veprime të forta kundër këtij lloji shfrytëzimi cinik.”

Suedia është përballur me të shtëna dhe shpërthime të lidhura me krimin e organizuar për më shumë se një dekadë, me rritjen e autorëve të rinj që po bëhet e dukshme që nga viti 2023.

Pavarësisht shqetësimeve për bandat kriminale në vendin nordik, numri i të shtënave dhe vrasjeve të lidhura me bandat u ul në vitin 2024 dhe është në rrugën e uljes përsëri në vitin 2025.