TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

I gjithë spektri politik në Britaninë e Madhe duket se është në një krizë. Laburistët do të kenë së shpejti një lider të ri, konservatorët kanë mbetur disi në hije, ndërsa skandale të reja kanë përfshirë ekstremistët e djathtë të Reformës, e drejtuar nga Nigel Farage.
Pasi shënoi një sukses në zgjedhjet lokale, Farage është vënë në qendër të një hetimi parlamentar në Mbretërinë e Bashkuar, pasi u zbulua se kishte marrë një dhuratë personale prej 5 milionë paundësh nga miliarderi britaniko-tajlandez i kriptomonedhave, Christopher Harborne, pak javë përpara se të rikthehej në politikë aktive dhe të kandidonte për deputet në zgjedhjet e vitit 2024.
Komisioneri Parlamentar për Standardet po heton nëse Farage ka shkelur rregullat e transparencës, duke mos e deklaruar këtë shumë sipas kërkesave që zbatohen për deputetët britanikë. Hetimi nuk përbën akuzë penale, por synon të përcaktojë nëse janë respektuar detyrimet parlamentare për deklarimin e përfitimeve financiare.
Çështja ka shkaktuar debat të madh politik edhe për shkak të shpjegimeve të ndryshme që Farage ka dhënë për origjinën dhe qëllimin e parave. Fillimisht ai deklaroi se shuma ishte dhënë për të mbuluar kostot e sigurisë së tij personale, duke argumentuar se ishte përballur me kërcënime serioze ndaj jetës. Më pas ai e përshkroi shumën si një dhuratë personale dhe pa kushte nga Harborne, ndërsa në intervista të tjera tha se ishte një mënyrë për ta shpërblyer për angazhimin e tij shumëvjeçar në fushatën për Brexit.
Në një seri intervistash Farage deklaroi se mënyra se si i shpenzon paratë është “çështje private” dhe se mund t’i përdorë “edhe për të blerë Ferrari”, duke shtuar se publiku nuk është i interesuar për këtë histori.
Laburistët e kanë akuzuar Farage për mungesë transparence dhe ka kërkuar hetim të plotë mbi burimin dhe deklarimin e shumës. Janë ngritur gjithashtu pikëpyetje edhe për pretendimin e Farage se informacioni mbi dhuratën ishte bërë publik pas një sulmi kibernetik, pretendim për të cilin kundërshtarët politikë kanë kërkuar verifikime të mëtejshme.
Nëse hetimi konstaton shkelje të rregullave parlamentare, sanksionet mund të variojnë nga kërkesa për korrigjimin e deklarimeve deri te pezullimi nga Parlamenti.
Christopher Harborne konsiderohet financuesi më i madh i Reform UK. Përveç dhuratës personale prej 5 milionë paundësh për Farage, ai ka dhuruar edhe dhjetëra miliona paund për partinë gjatë viteve të fundit, duke u bërë një nga donatorët më të mëdhenj në historinë e politikës britanike.