BOTA, 23 Shtator 2023, 15:46

E akuzoi në OKB se po bën “teatër politik”, kryeministri i Polonisë i kthehet Zelenskyt: Mos e bëj, kurrë më!

E akuzoi në OKB se po bën “teatër politik”,

Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki nuk i ka harruar deklaratat e Zelenskyt të bëra gjatë fjalës së tij në Këshillin e Sigurimit lidhur me mosmarrëveshjen midis tyre për eksportet e grurit dhe i ka kërkuar që “të mos fyejë kurrë më, polakët”.

Kjo kundërpërgjigje erdhi pasi udhëheqësi ukrainas tha në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se mosmarrëveshja e krijuar mund të ishte një “teatër politik”.

Nga një miting në Swidnik, Morawiecki duke iu drejtuar Zelenskyt tha:

“Dua t’i them Presidentit Zelensky që të mos i ofendojë më polakët, siç bëri kohët e fundit gjatë fjalimit të tij në OKB. Populli polak nuk do të lejojë kurrë që kjo të ndodhë dhe mbrojtja e emrit të Polonisë nuk është vetëm detyra dhe nderi im, por edhe detyra më e rëndësishme e qeverisë polake.”

Në fakt, përplasja mes dy vendeve, zemëroi shumë njerëz në Evropë dhe në një kohë të tillë, u konsiderua edhe si një “dhuratë” për Putinin, shkruan CNN.

Ndërsa komentet e bëra së fundmi nga kryeministri polak, rrezikojnë të thellojnë ndarjet midis dy vendeve, që më parë kanë qenë aleatë të ngushtë të bashkuar kundër pushtimit rus të Ukrainës.