TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Dy vite më parë, grupi terrorist i Hamasit, i mbështetur nga forca iraniane, ndërmori një sulm vdekjeprurës në drejtim të Izraelit ku të vrarë mbetën të paktën 1.200 njerëz dhe 251 të tjerë u morën peng. Sulmi ishte historik, i befasishëm duke thyer sistemin e ‘Kuplës së Hekurt’ të Izraelit, e cila konsiderohet si mbrojtja ajrore më e avancuar në botë.
Që në orët e para, banorët izraelitë, por edhe e gjithë bota, e dinin që kjo ishte rinisja e një lufte të përgjakshme që nuk do të kursente as fëmijë.
Pas kësaj, Izraeli menjëherë nisi një fushatë masive sulmesh ajrore ndaj objektivave në Gaza, e ndjekur nga një pushtim tokësor, me qëllim shkatërrimin e Hamasit dhe lirimin e pengjeve izraelitë.
Dy vite më vonë, Izraeli nuk i ka ndalur sulmet tokësore ushtarake e as bombardimet nga ajri.
Në Gaza, të paktën 67,160 njerëz janë vrarë në sulmet izraelite, përfshirë të paktën 18.430 fëmijë, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi. Shumica e popullsisë së saj është zhvendosur vazhdimisht dhe më shumë se 90% e shtëpive vlerësohet të jenë dëmtuar ose shkatërruar.
Ndërkohë sot, edhe pse numri i viktimave është në rritje, në Sharm el-Sheikh pritet të mblidhen negociatore për të diskutuar në raundin e dytë mbi qasjen e planit të paqes së presidentit të SHBA-ve Donald Trump.
"Ajo që filloi në Gaza do të përfundojë në Gaza”, është deklarata e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, “me lirimin e të gjithë njerëzve tanë të marrë peng, si dhe fundi i regjimit terrorist të Hamasit”.
Burime egjiptiane bëjnë me dije se gjatë bisedimeve palët kanë arritur një marrëveshje për pjesën më të madhe të kushteve që lidhen me fazën e parë të planit të Trump. Kjo fazë përfshin lirimin e pengjeve dhe vendosjen e një armëpushimi. Lajmi është bërë i ditur nga një zyrtar egjiptian që ka folur në kushte anonimiteti.
Sipas burimeve, plani ka marrë mbështetje të gjerë ndërkombëtare, ndërsa Trump deklaroi të hënën për gazetarët se beson se “ka shumë mundësi” që të arrihet një “marrëveshje e qëndrueshme”. “Kjo shkon përtej Gazës”, tha ai. “Gaza është e rëndësishme, por këtu bëhet fjalë në të vërtetë për paqen në Lindjen e Mesme.”
Agjencia EFE raporton se Hamasi ka pranuar në raundin e parë të negociatave që të çarmatoset, por refuzon pozicionimin ish Kryeministrit britanik Tony Blair si Guvernator të Gazës. Megjithatë, mbeten ende shumë pasiguri, përfshirë kërkesën për çarmatosjen e Hamasit dhe të ardhmen e qeverisjes së Gazës.