BOTA, 21 Tetor 2025, 10:43

VIDEO/ Dorë për dore me Carla Brunin dhe mes duartrokitjeve, Sarkozy niset drejt burgut

VIDEO/ Dorë për dore me Carla Brunin dhe mes duartrokitjeve, Sarkozy

Dorë për dore me partneren e tij, Carla Bruni. Kështu e ka nisur rrugën e tij drejt burgut ish-presidenti Nicolas Sarkozy. Ai doli nga shtëpia e tij pak pas orës 09:00 të mëngjesit për t'u nisur drejt burgut La Santé, nën brohoritjet e turmës që e priste.

Ish-presidenti francez përshëndeti mbështetësit dhe të dashurit e tij përpara se të hipte në makinë dhe të nisej për të vuajtur dënimin me 5 vite heqje lirie.

Pak më parë, tre djemtë e tij, Jean, Pierre dhe Louis, dolën gjithashtu nga shtëpia, mes duartrokitjeve, ndërsa njerëzit kënduan edhe himnin kombëtar francez, La Marseillaise.

Dje pasdite, pak orë para se të nisej për në burg, Sarkozi u prit në Pallatin Elysee nga Emmanuel Macron, ndërsa dihet se edhe Ministri i Drejtësisë, Gérald Darmanin, planifikon ta vizitojë atë gjatë vuajtjes së dënimit. Vendimi i Darmanin është pritur me shumë komente dhe shqetësime, kryesisht nga opozita, pasi e interpretojnë atë si një përpjekje për të ndikuar në gjyqësor. 

"Do të fle me kokën lart", kishte thënë Sarkozy kur mësoi për dënimin e tij, ndërsa vazhdon të shprehet se është i pafajshëm dhe se nuk ka gisht në skandalin e konspiracionit kriminal për  financimin e paligjshëm të fushatës së tij zgjedhore nga Muammar Gaddafi, çështje për të cilën u dënua me pesë vjet burg.

La Sante: Hotel VIP me... hekura në dritare

“Është më shumë një hotel luksoz sesa një burg”, thotë një ish-i burgosur i krahut VIP të burgut të sigurisë së lartë La Santè.

Përpara se të mirëpresë “qiramarrësin” e tij të ri, ish-Presidentin francez Nicolas Sarkozy, burgu La Santè është bërë objekt diskutimesh të shumta, me të gjithë që pyesin veten: A po çohet “Bling Bling” në një qeli të errët, të lagësht dhe gri, apo në një dhomë hoteli me… hekura në dritare?

La Santè nuk është një burg i zakonshëm. Ndodhet në zemër të Parisit, në një lagje të qetë të rajonit të 14-të, përballë një azili pleqsh, një tipar i pazakontë për një burg. U ndërtua në vitin 1867 me një arkitekturë radiale, në mënyrë që rojet të mund të shihnin të gjitha qelitë. Ato kishin qenë të mbyllura për disa vjet dhe u rihapën në vitin 2019, pas një rinovimi katërvjeçar, duke ofruar ambiente më moderne.

Në dekadat e mëparshme, qelitë e tyre strehonin personalitete që e bënë burgun një mënyrë jetese, ose të paktën një kapitull në jetën e tyre. Terroristi famëkeq Karlos Çakalli, "Flutura" e famshme e Francës, personi përgjegjës për dhjetëra grabitje bankash dhe po aq arrestime e arratisje mbresëlënëse që Zhak Mesrin kaloi përmes tyre.

Si do të jetojë ish-presidenti i Francës në burg?

Nicolas Sarkozy hyn në burg. Rreth orës 9:15 të mëngjesit të së martës, ish-presidenti i Republikës Franceze la shtëpinë e tij në perëndim të Parisit, dorë për dore me bashkëshorten e tij Carla Bruni, dhe brenda njëzet e pesë minutash mbërriti në lagjen Montparnasse, pranë burgut La Santé, ku nga sot nis të vuajë dënimin prej pesë vitesh.

Të afërm, miq dhe mbështetës besnikë të ish-presidentit francez, rreth njëqind persona në total, u mblodhën që në orët e para të mëngjesit nën banesën e tij dhe kënduan disa herë “Marseljezën”.

Miqtë e Sarkò-së iu përgjigjën thirrjes së djalit të tij 28-vjeçar: Louis Sarkozy kishte bërë apel që “në orën 8:30 të mblidhen të gjithë ata që duan t’i shprehin mbështetjen. Do të jemi pranë tij për t’i treguar dashurinë, respektin dhe besnikërinë tonë të përjetshme”, kishte njoftuar ai.

Sarkozy u dënua për “bashkëpunim në veprimtari kriminale” në procesin gjyqësor të shkallës së parë mbi financimet libiane për fushatën fituese elektorale të vitit 2007. Në pranverën e atij viti, dhjetëra kameramanë e ndoqën me motoçikleta gjatë mbërritjes së tij triumfuese në Pallatin Élysée; sot, të njëjtët kameramanë e ndjekin drejt burgut.

Duke rrezikuar të nxisë pakënaqësi te të dënuarit e zakonshëm, të cilët nuk gëzojnë një vëmendje të tillë, edhe presidenti aktual Emmanuel Macron dje shprehu afërsi me Sarkozy-n, dikur këshilltar i tij jozyrtar, duke e pritur në Élysée për një takim që zgjati mbi një orë.

Përballë kritikave, Macron u përgjigj se e konsideron “krejt normale, nga pikëpamja njerëzore, që të pres një nga paraardhësit e mi në këtë kontekst”.

Ish-presidentit i kanë shprehur solidaritet edhe shumë personalitete të njohura, nga ish-kryeministrat Edouard Balladur dhe François Fillon te udhëheqësja e Rassemblement National, Marine Le Pen, e cila është dënuar gjithashtu (por jo me burg) dhe kohët e fundit ka qenë shumë kritike ndaj sistemit gjyqësor.

Sarkozy ka paraqitur apel dhe për rrjedhojë hyn në burg si “i pafajshëm i supozuar”. Ai do të qëndrojë atje maksimumi disa javë dhe më pas, për shkak të moshës (70 vjeç), pritet të kthehet në shtëpi me byzylyk elektronik. “Jeta ime është një roman,” i tha Sarkozy gazetës Le Figaro disa orë para se të hynte në burg. Sonte ai do të kalojë natën e parë në një qeli prej njëmbëdhjetë metrash katrorë, me një dritare të vulosur. Ka treguar se ka marrë listën e gjërave që i lejohen.

Ai do të mbahet në izolim, pasi burgu nuk ka mënyra të tjera për të garantuar sigurinë e tij, dhe të burgosurit të tjerë do të jenë trafikantë droge ose terroristë. Natyrisht, nuk do të ketë telefon celular, por mund të shikojë një televizor të vogël. Ka të drejtë të mbajë një shall që nuk duhet të jetë më i gjatë se 1 metër. Gjithashtu, mund të mbajë një thikë me majë të rrumbullakosur dhe një pirun. Do të ketë në dispozicion një pjatë elektrike për gatim dhe do të lejohet të dalë një orë në ditë në oborrin e brendshëm, i shoqëruar nga tre roje. Ka të drejtë për tre takime në javë me familjarë dhe miq, mes të cilëve edhe ministri i Drejtësisë, Gérald Darmanin.

I është këshilluar të marrë tapa për veshët, për të mos dëgjuar britmat e të burgosurve të tjerë gjatë natës. “Kam me vete dy libra,” ka rrëfyer Sarkozy – “Konti i Monte Kristos dhe Biografia e Jezusit e shkruar nga Jean-Christian Petitfils.”