TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka kritikuar sërish autoritetet braziliane, duke i akuzuar se po e shënjestrojnë në mënyrë të padrejtë ish-presidentin Jair Bolsonaro, i cili po gjykohet aktualisht nën akuzën për përpjekje për grusht shteti.
“Presidenti Bolsonaro hetohet padrejtësisht,” u shpreh Trump të premten para gazetarëve, duke e quajtur ish-aleatin e tij të ngushtë “një njeri të mirë”. “Ai ishte i ashpër në negociata, por i ndershëm. Unë i njoh të ndershmit, ashtu siç i njoh të korruptuarit,” shtoi ai.
Trump ka qenë vazhdimisht mbështetës i Bolsonaros, duke e portretizuar si viktimë të një “gjuetie shtrigash” – term që ai e ka përdorur shpesh edhe për përndjekjen ndaj vetes nga kundërshtarët politikë.
Ndërkohë, marrëdhëniet mes dy vendeve janë tensionuar më tej pas vendimit të Trump për të vendosur tarifa 50% mbi importet nga Brazili, vendim që pritet të hyjë në fuqi më 1 gusht. Lajmi u konfirmua nga një letër që presidenti amerikan i dërgoi homologut të tij brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva, të mërkurën.
Presidenti Lula ka reaguar duke mohuar çdo “ndërhyrje” në punët e brendshme të Brazilit dhe ka bërë të ditur se dëshiron të zgjidhë përplasjen tregtare përmes negociatave. Megjithatë, ai paralajmëroi se vendi i tij do të hakmerret nëse tarifat hyjnë në fuqi.
“Do të përpiqemi të zgjidhim gjithçka përmes dialogut, por nëse SHBA na godet, ne do të përgjigjemi,” tha Lula në një deklaratë për shtyp.
Nga ana tjetër, Trump u shpreh se mund të flasë me presidentin brazilian në një moment të përshtatshëm.
“Ndoshta do të flas me të. Nuk do ta bëj këtë tani për tani,” tha ai, teksa largohej nga Shtëpia e Bardhë për një vizitë në Teksas, i prekur rëndë nga përmbytjet.