TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, i ka bërë një kritikë të ashpër Iranit, duke e akuzuar se po përdor vendin e tij, si një mjet negociues në konfliktin më të gjerë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin, raportoi CNN.
Në një intervistë të rrallë dhe ekskluzive për CNN me gazetaren Christiane Amanpour, Aoun tha se është i vendosur të bëjë “çdo gjë të nevojshme” për ta nxjerrë Libanin nga cikli i luftës, ndërsa theksoi se qytetarët libanezë janë “të lodhur” nga përplasjet e vazhdueshme mes Izraelit dhe Hezbollahut – një grup i armatosur i mbështetur nga Irani, i cili ka ndikim të madh në vend, duke u paraqitur si mbrojtës i jugut të Libanit dhe palestinezëve.
“Ne jemi të lodhur dhe duam të jetojmë në paqe”, deklaroi Aoun, duke shtuar se libanezët meritojnë të jetojnë me dinjitet dhe paqe, pa i parë shtëpitë e tyre të shkatërrohen çdo pesë apo dhjetë vjet.
Sipas tij, që nga themelimi në vitet 1980, Hezbollahu është përfshirë disa herë në luftë me Izraelin.
Ai tha se, këtë vit grupi ka lëshuar raketa ndaj Izraelit si përgjigje ndaj një sulmi të përbashkët SHBA-Izrael ndaj Iranit, ku u vra udhëheqësi suprem, Ali Khamenei dhe pjesa më e madhe e komandës së tij ushtarake.
Ai shtoi se përgjigjja izraelite ka shkaktuar mbi 3 500 viktima në Liban dhe ka zhvendosur gati një të pestën e popullsisë.
Presidenti libanez theksoi se shteti është dobësuar nga ndërhyrjet e huaja dhe konfliktet sektare, prej disa dekadash, ndërsa ka nisur një përpjekje për të çarmatosur Hezbollahun, me qëllim kufizimin e ndikimit të tij.
Pavarësisht armëpushimit mes Teheranit dhe Uashingtonit në prill dhe negociatat e mëvonshme, Bejruti është përfshirë gjithnjë e më shumë në konfliktin rajonal, pasi Irani ka kushtëzuar një marrëveshje me SHBA-në – duke kërkuar tërheqjen e Izraelit nga Libani.
“Nuk është vendi juaj, është vendi ynë”, i tha Aoun Gardës Revolucionare të Iranit, duke e akuzuar Teheranin se po e përdor Libanin për interesat e veta.
“Ju nuk po përpiqeni të na ndihmoni… populli i Libanit po paguan çmimin për interesat tuaja”, shtoi ai.
Duke iu përgjigjur deklaratave, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi i hodhi poshtë akuzat, duke thënë se “po të ishte Libani një monedhë shkëmbimi për Iranin, do të ishte arritur një marrëveshje prej kohësh, duke i bërë thirrje presidentit libanez të “shpëtojë Libanin nga armiku i vërtetë”, në një referencë të nënkuptuar për Izraelin.
“Ne jemi gati për negociata”
Presidenti Aoun tha se qeveria libaneze është e gatshme të negociojë marrëveshje armëpushimi me Izraelin – një hap i pazakontë për Bejrutin – me synimin për të ulur presionin mbi Hezbollahun.
“Ne jemi gati, jemi të vendosur dhe të përkushtuar ndaj negociatave për t’i dhënë fund luftës”, tha ai, duke shtuar se të dy palët duhet të zgjedhin mes “luftës ose diplomacisë”.
Ai theksoi se ekziston një mundësi reale për t’i dhënë fund armiqësisë që, sipas tij, ka nisur që nga viti 1948, duke i bërë thirrje si libanezëve ashtu edhe izraelitëve, të zgjedhin paqen dhe sigurinë.
Megjithatë, Hezbollahu ka kundërshtuar çdo ide për çarmatim, pa tërheqjen e forcave izraelite nga territori libanez.
Udhëheqësi i grupit, Naim Qassem, i ka quajtur negociatat një “dorëzim”.
Aoun, nga ana tjetër, kritikoi si Hezbollahun ashtu edhe Izraelin, duke thënë se konflikti mund të zgjidhet vetëm përmes diplomacisë dhe negociatave, jo përmes luftës.
“Edhe nëse pushtojnë gjithë vendin, nuk do ta arrijnë objektivin e tyre”, tha ai për Izraelin, duke shtuar se Hezbollahu nuk mund të shkatërrohet me forcë.
Presidenti libanez, ish-komandant i ushtrisë me përvojë luftarake, tha se megjithëse e njeh luftën nga afër, ai e refuzon atë.
“Preferoj negociatat në vend të luftës. Nuk dua që fëmijët tanë të jetojnë të njëjtat vuajtje”, tha ai, duke theksuar se “zgjidhja më e mirë është diplomacia.”