BOTA, 23 Korrik 2025, 22:28

Bisedimet në Turqi, Ukraina propozon takim mes Zelenskyt dhe Putinit! Moska refuzoi ftesën

Bisedimet në Turqi, Ukraina propozon takim mes Zelenskyt dhe Putinit! Moska

Ukraina ka propozuar zhvillimin e një takimi në nivel të lartë mes presidentit Volodymyr Zelensky dhe presidentit rus Vladimir Putin, si pjesë e përpjekjeve për të arritur një marrëveshje për përfundimin e luftës, bëjnë të ditur burime zyrtare ukrainase.

Lajmi u konfirmua nga Rustem Umerov, kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, i cili udhëhoqi delegacionin ukrainas në rundin e tretë të bisedimeve që u zhvillua sot në Stamboll.

Sipas tij, Kievi synon që ky takim të mbahet para fundit të gushtit, ndërsa theksoi se qëllimi kryesor i Ukrainës mbetet arritja e një armëpushimi. Ai gjithashtu u bëri thirrje përfaqësuesve rusë që të paraqiten në tryezën e bisedimeve me qasje realiste dhe konstruktive.

Refuzim nga Rusia: Takimi vetëm për firmosje marrëveshjeje

Përfaqësuesi rus në bisedimet e Stambollit, Vladimir Medinsky, hodhi poshtë mundësinë e zhvillimit të një samiti mes dy presidentëve në këtë fazë. Sipas tij, një takim Zelensky–Putin mund të ndodhë vetëm për të firmosur një marrëveshje përfundimtare, dhe jo për të vijuar negociatat.

“Pozicionet e të dyja palëve janë ende shumë larg njëra-tjetrës,” u shpreh Medinsky në një konferencë për mediat. Ai shtoi se delegacionet diskutuan mbi dokumentet që kanë shkëmbyer më herët, por se mospajtimet thelbësore mbeten të thella.

Marrëveshje për shkëmbim të të burgosurve

Sipas agjencisë ruse TASS, bisedimet në Stamboll zgjatën rreth 40 minuta dhe përfunduan në orët e pasdites. Pavarësisht qëndrimeve të ndryshme, të dyja palët ranë dakord për një shkëmbim të ri të të burgosurve, që përfshin si ushtarakë, ashtu edhe civilë.

Në hapje të takimit, ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, bëri thirrje për angazhim serioz nga të dyja palët dhe theksoi se qëllimi përfundimtar është një armëpushim që do të hapte rrugën drejt paqes.