BOTA, 23 Korrik 2025, 17:26

Shmanget për pak një tragjedi ajrore, avionët përballen në pistë gjatë uljes dhe ngritjes

Shmanget për pak një tragjedi ajrore, avionët përballen

Një incident i rëndë ajror u shmang për pak në Shtetet e Bashkuara, ku dy avionë, përfshirë një të linjës Delta, u gjendën në një situatë të rrezikshme në pistën e aeroportit ndërkombëtar “Benito Juárez” në Mexico City.

Ngjarja ndodhi të hënën, kur fluturimi 590 i kompanisë Delta, me rreth 150 pasagjerë në bord, po përgatitej për ngritje drejt Atlantës. Në të njëjtën kohë, fluturimi 1631 i AeroMéxico Connect u ul në të njëjtën pistë, duke kaluar mbi avionin e Delta-s në një distancë më pak se 200 metra.

Ekuipazhi i avionit të Delta-s vuri re afrimin e avionit tjetër në momentet e fundit dhe shmangu përplasjen që mund të kishte pasoja fatale. Pas incidentit, avioni i Delta-s u kthye në terminal dhe qëndroi i pezulluar për rreth tre orë, përpara se të nisej sërish.

Në një deklaratë zyrtare, Delta tha se “po bashkëpunon plotësisht me autoritetet për të hetuar rrethanat e incidentit.” Edhe AeroMéxico bëri të ditur se po punon ngushtësisht me institucionet përkatëse për një hetim të plotë.

Ngjarja ka ngritur shqetësime serioze për menaxhimin e trafikut ajror dhe koordinimin e fluturimeve në një nga aeroportet më të ngarkuara të Meksikës. Hetimet janë në vijim për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen.