BOTA, 23 Korrik 2025, 21:00

Herzog viziton Gazën për herë të parë që nga fillimi i luftës! 70 deputetë izraelitë kërkojnë aneksimin e Bregut Perëndimor

Herzog viziton Gazën për herë të parë që nga

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, zhvilloi sot një vizitë të papritur në Rripin e Gazës, për herë të parë që nga shpërthimi i konfliktit me Hamasin. Herzog u shfaq përkrah trupave izraelite të vendosura në territorin palestinez, duke deklaruar se Izraeli po vepron në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

“Ne veprojmë sipas të drejtës ndërkombëtare dhe ofrojmë ndihmë humanitare në këtë kuadër. Janë Hamasi dhe mbështetësit e tij ata që përpiqen të sabotojnë këtë ndihmë”, tha Herzog.

Ai shtoi se po zhvillohen negociata intensive për lirimin e pengjeve që mbahen në Gazë, duke shprehur shpresë për “lajme të mira së shpejti”.

Thirrje për aneksimin e Bregut Perëndimor – miratohet me 71 vota në Knesset

Paralelisht me vizitën e presidentit në Gazë, më shumë se 70 deputetë izraelitë votuan sot në parlamentin izraelit (Knesset) në mbështetje të një thirrjeje për aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar.

Me 71 vota pro dhe 13 kundër, rezoluta — edhe pse nuk ka fuqi ligjore — synon të forcojë idenë se Izraeli ka një “të drejtë natyrore, historike dhe ligjore” mbi këto territore, duke kërkuar të përjashtojë përfundimisht çdo plan për krijimin e një shteti palestinez.

Thirrja u mbështet jo vetëm nga deputetët e koalicionit të djathtë të Benjamin Netanyahut, por edhe nga disa deputetë të opozitës. Në tekst thuhet se aneksimi i Bregut Perëndimor do të përforcojë sigurinë e Izraelit dhe të drejtën e popullit hebre për paqe në tokën e tij.

“Sovraniteti mbi Judenë dhe Samarìnë (emërtimi izraelit për Bregun Perëndimor) është pjesë e pandashme e realizimit të vizionit sionist dhe kthimit të hebrenjve në atdhe”, thuhet më tej.

Autoriteti Palestinez reagon ashpër: “Shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare”

Autoriteti Palestinez reagoi ashpër, duke e quajtur votimin në Knesset një “fyerje të drejtpërdrejtë ndaj të drejtave të popullit palestinez”.

“Këto veprime të njëanshme të Izraelit përbëjnë një shkelje të rëndë të të drejtës ndërkombëtare”, deklaroi Hussein al-Sheikh, sekretar i përgjithshëm i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), përmes një postimi në rrjetin “X” (ish-Twitter).

Në Bregun Perëndimor sot jetojnë rreth 500 mijë izraelitë në vendbanime të paligjshme sipas OKB-së, përkrah rreth 3 milionë palestinezëve. Vendbanimet izraelite konsiderohen një nga pengesat më të mëdha për një zgjidhje të qëndrueshme me dy shtete në konfliktin izraelito-palestinez.