TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Universiteti prestigjioz amerikan, Harvard, është vënë në qendër të një hetimi të nisur nga administrata e presidentit Donald Trump, mes shqetësimeve se aktivitetet e tij akademike mund të bien ndesh me interesat e politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare të SHBA-së.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, konfirmoi nisjen e hetimeve, të cilat synojnë të verifikojnë nëse Harvard i përmbahet rregullave federale në programet e shkëmbimit ndërkombëtar. Sipas njoftimit zyrtar, synimi është të garantohet që aktivitetet akademike nuk rrezikojnë interesat kombëtare apo sigurinë e studentëve.
“Populli amerikan ka të drejtë të kërkojë që institucionet arsimore të mbrojnë sigurinë kombëtare, të zbatojnë ligjet dhe të ofrojnë një ambient të sigurt për të gjithë studentët”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.
Hetimi vjen në vazhdën e kritikave të ashpra që presidenti Trump ka drejtuar ndaj Harvardit që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë në janar. Ai e ka akuzuar institucionin për promovimin e ideologjive “të zgjuara” (woke) dhe për mungesë mbrojtjeje ndaj studentëve hebrenj dhe izraelitë gjatë protestave në kampus, të cilat bënin thirrje për armëpushim në Gaza.
Si pjesë e masave ndëshkuese, qeveria federale ka tërhequr mbi 2.6 miliardë dollarë në grante nga universiteti dhe ka revokuar akreditimin për programin që u mundëson studentëve ndërkombëtarë të ndjekin studimet në SHBA.
Përballë këtyre masave, Harvard ka ndërmarrë veprime ligjore, duke i konsideruar ato si të padrejta dhe me pasoja të rënda për autonominë akademike. Procesi ligjor nisi të hënën me një seancë dëgjimore në një gjykatë federale, ndërsa presidenti Trump nuk kurseu as gjyqtarin, duke e sulmuar publikisht në platformën e tij, Truth Social. Ai akuzoi Harvardin si “antisemit, antikristian dhe antiamerikan”.
Çështja pritet të shndërrohet në një precedent me ndikim për universitetet e tjera të mëdha amerikane, si Columbia në Nju Jork, që janë gjithashtu nën vëzhgim nga administrata aktuale.