TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Koleksioni i madh i artit i të ndjerit Silvio Berlusconi është komentuar me nota tallëse nga një prej kritikëve kryesorë të artit të Italisë.
Sipas Vittorio Sgarbi, 25 mijë pikturat e tij janë kryesisht punime me cilësi të dobët, me pak ose aspak vlerë.
Ish-kryeministri italian, i cili u nda nga jeta në qershor, bleu shumë piktura dhe skulptura nga programet e teleshitjeve, shkruan BBC.
Menaxhimi i koleksionit të gjerë po rezulton në një ‘dhimbje koke’ për pasardhësit e tij. Blerjet e miliarderit mbahen në një magazinë 3200 m2 afër rezidencës së tij pranë Milanos. Ato përfshijnë piktura të Madonave, imazhe të grave të zhveshura dhe peizazhe të qytetit të Parisit, Napolit dhe Venecias.
Por koleksioni nuk i bëri përshtypje Sgarbit, i cili i tha një reviste se "njerëzit që dinë pak për artin" mund të kënaqeshin duke vizituar një muze që përmban veprat.
Ka ndoshta gjashtë apo shtatë piktura nga 25 mijë, të cilat sipas tiij mund të kenë vlerë artistike.
I gjithë koleksioni vlerësohet të jetë rreth 20 milionë euro, mesatarisht 800 euro për pikturë. Berlusconi, i cili dominoi politikën italiane nga fillimi i viteve 1990, kishte një vlerë neto prej rreth 6 miliardë euro.
Ai zotëronte gjithashtu piktura me cilësi më të lartë, teksa rezidenca e tij kryesore ishte zbukuruar me vepra të piktorit të Rilindjes Titian dhe mjeshtrit të madh holandez Rembrandt.
Cesare Lampronti, një tregtar arti me bazë në Londër, i cili mbajti një marrëdhënie të ngushtë me Berlusconin për tre dekada, i tha BBC-së se miliarderi ishte një blerës impulsiv.
"Atij pëlqente të blinte portrete të grave që ua bënte dhurata miqve. Kur ishte më i ri, blinte në galeri dhe nga tregtarët, por më vonë bleu nga ankandet televizive", tha Lampronti.
Trashëgimtarët e Berlusconit po zbulojnë se koleksioni i madh është një barrë e rëndë. Magazina që ‘strehon’ artin kushton rreth 800,000 € në vit për të funksionuar, tha La Repubblica.
Ndërkohë, thuhet se krimbat e drurit tashmë kanë shkatërruar një pjesë të madhe të koleksionit. Në disa raste, kostoja e shfarosjes së ‘dëmtuesve’ tejkalon vlerën e pikturave.