TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Turqia po zgjeron ndikimin e saj në Azinë Qendrore, duke u ofruar liderëve të rajonit një alternativë të mirëpritur, teksa ata rivlerësojnë se si të balancojnë lidhjet me Rusinë, Perëndimin dhe Kinën.
Imazhi i Rusisë ndërkombëtarisht dhe pasuria e saj financiarisht janë në rënie për shkak të aventurizmit të Kremlinit në Ukrainë. Perëndimi ka vite që është në tërheqje në të gjithë rajonin, aq më tepër pas tërheqjes së forcave të tij nga Afganistani. Dhe shumë njerëz në Azinë Qendrore mendojnë se Kina tashmë ka shumë ndikim.
Pra, është një kohë e mirë që Turqia dhe presidenti i saj, Recep Tayyip Erdogan, të kërkojnë lidhje më të ngushta me shtetet turke të Azisë Qendrore si Kazakistani, Kirgistani, Turkmenistani dhe Uzbekistani.
Marrëdhënia e Turqisë me të katërt shtetet ishte e ngadalshme për t’u zhvilluar pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Në fillim, Turqia luftoi për të ofruar llojet e ndihmës financiare dhe të sigurisë që i nevojitej këtyre vendeve. Ajo gjithashtu nuk arriti të kanalizojë afinitetet e saj gjuhësore dhe kulturore në diçka kohezive. Klubi që krijoi me katër vendet turqishtfolëse në Azinë Qendrore, plus Azerbajxhanin, është riemërtuar disa herë (aktualisht është Organizata e Shteteve Turke), por për shumë vite takimet vjetore nuk prodhonin asgjë.
Por gjatë viteve të fundit, ka qenë fuqia e fortë e Turqisë, dhe jo fuqia e saj e butë, ajo që ka tërhequr vëmendjen në kryeqytetet e Azisë Qendrore.
Dronët turq e ndihmuan qartë Azerbajxhanin të fitonte luftën e Nagorno-Karabakut të vitit 2020; ato përsëri po përdoren në Ukrainë kundër forcave pushtuese ruse. Këto luftëra, plus trupat turke në Siri, e kanë ngritur imazhin e Turqisë. Udhëheqësit e Azisë Qendrore kanë vënë re.
Turkmenistani është një nga blerësit kryesorë të armëve të Turqisë , duke i demonstruar dronët Bayraktar TB2 në një paradë të ditës së pavarësisë vitin e kaluar.
Kirgistani bleu gjithashtu dronët Bayraktar vitin e kaluar, duke arritur një marrëveshje me Turqinë menjëherë pas një beteje të shkurtër por shkatërruese me Taxhikistanin fqinj.
Në shkurt, dy ditë pasi Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë, kreu i departamentit të bashkëpunimit ndërkombëtar të Ministrisë së Mbrojtjes së Kazakistanit, Olzhas Khussainov, u takua me atasheun ushtarak të Turqisë në Kazakistan, Fatih Pala, për të diskutuar mbi bashkëpunimin. Presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev do të udhëtojë në Turqi për t’u takuar me Erdoganin në maj.
Më 29 mars, ministri i Mbrojtjes i Uzbekistanit Bahodir Kurbanov nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me homologun e tij turk Hulusi Akar gjatë një vizite të Presidentit Erdogan.
Por nga pikëpamje ekonomike, marrëdhëniet mes turqisë me këto vende është në nivele tepër të ulta.
Në Kazakistan, sipas të dhënave më të fundit të Bankës Botërore, Turqia nuk është as një partner tregtar i top pesëshes. Në Kirgistan , Turqia zuri vendin e pestë, por me vetëm 4.5 për qind të xhiros.
Ankaraja premton t’i rrisë këto shifra.
Në vitin 2021, tregtia uzbek-turke arriti në rreth 3.4 miliardë dollarë, nga 2.4 miliardë dollarë në 2019. Tregtia kazako-turke ishte gati 3.9 miliardë dollarë në 2019 dhe 4.1 miliardë dollarë në 2021; të dy vendet premtojnë ta çojnë këtë shifër në 10 miliardë dollarë. Tregtia Kirgize-Turke pothuajse u dyfishua në 836 milionë dollarë midis 2019-s dhe 2021-shit.
Disa shtete të Azisë Qendrore po i kërkojnë tashmë Turqisë të sigurojë mallra që zakonisht furnizohen nga Rusia ose Ukraina.
Përballë mungesës së barnave për shkak të ndalimit të eksportit rus, Kirgistani tha në mes të marsit se do t’i drejtohej Turqisë dhe më 14 prill Ministria e Shëndetësisë e Kirgistanit tha se Turqia ishte bërë furnizuesi më i madh i vendit me ilaçe.