BOTA, 14 Tetor 2025, 22:31

Alarm në stërvitjet e NATO-s në Poloni/ Trupat holandeze përballen me dronë të paidentifikuar dhe ndërprerje komunikimi

Alarm në stërvitjet e NATO-s në Poloni/ Trupat holandeze

Trupat holandeze që po marrin pjesë në stërvitjet e NATO-s në Poloni janë përballur me disa dronë të paidentifikuar dhe probleme në komunikim, ka konfirmuar Ministria e Mbrojtjes e Holandës për median NOS.

Incidenti ndodhi gjatë stërvitjes në shkallë të gjerë “Falcon Autumn”, ku Holanda po bashkëpunon me forcat polake dhe amerikane. Sipas gjeneralit Frank Grandia, dronët u shfaqën papritur ndërsa ushtarët po ngrinin kampin në një aeroport, por nuk pati kërcënim të menjëhershëm.

“Nuk kishte rrezik direkt. Jemi mjaft larg kufirit rus. Mësuam shpejt dhe u përshtatëm menjëherë,” deklaroi Grandia, duke shtuar se pas incidentit, u dërguan në vend pajisje kundër-dronësh.

Burimet zyrtare thanë se ende nuk dihet kush qëndron pas fluturimeve misterioze apo ndërhyrjeve në sistemet e komunikimit, por theksuan se “ka palë të interesuara që vëzhgojnë nga afër aktivitetet e NATO-s”.

Ngjarja vjen në një kohë kur incidente të ngjashme janë raportuar në Danimarkë, Norvegji dhe Gjermani, ndërsa Estonia ka akuzuar së fundmi avionë rusë për shkelje të hapësirës ajrore, gjë që Moska e ka mohuar.

Stërvitja “Falcon Autumn” vijon sipas planit, megjithëse siguria është forcuar ndjeshëm pas episodeve me dronët e paidentifikuar.