BOTA, 10 Gusht 2024, 18:19

Aksidenti ajror me 61 të vdekur në Brazil, dyshohen si shkak ngricat dhe akulli

Aksidenti ajror me 61 të vdekur në Brazil, dyshohen si shkak ngricat

Në Brazil, autoritetet po kryejnë hetimet për të zbuluar shkaqet që çuan në rënien e një avioni një ditë më parë në Sao Paolo, ku për pasojë humbën jetën 61 personat që gjendeshin në bord. Avioni i kompanisë ajrore “Voepass”, i prodhimit ATR 72, po lëvizte drejt aeroportit ndërkombëtar të Sao Paulos në Guarulhos, kur ra në qytetin Vinhedo. Në bord gjendeshin 57 pasagjerë dhe 4 anëtarë të ekuipazhit.

Pamjet e filmuara me celularë nga dëshmitarët tregojnë avionin duke rënë vertikalisht, duke bërë disa rrotullime përpara se të përplasej pranë disa banesave. Nuk pati lëndim të banorëve. Mes reshjeve të shiut, ekipet e shpëtimit vazhduan kërkimet dhe gjetën trupat e para në vendin e ngjarjes, në të ftohtin e dimrit të Hemisferës Jugore.

Në një njoftim të rrjetit televiziv “Globo” në Brazil, thuhej se “konfirmohet mundësia e formimit të akullit në rajonin Vinhedo” dhe media lokale citoi ekspertët të thoshin se ngrica mund të ketë qenë shkak për aksidentin.

Sekretari për Siguri Publike në Sau Paulo Guilherme Derrite tha të premten se është gjetur kutia e zezë e avionit. Marcelo Moura, drejtor i operacioneve të kompanisë ajrore “Voepass”, u tha gazetarëve të premten mbrëma se kishte pasur parashikime për akull, por ato ishin brenda niveleve të pranueshme për avionin. Po ashtu, kolonel Carlos Henrique Baldi nga qendra e forcave ajrore të Brazilit për hetimin dhe parandalimin e aksidenteve ajrore tha dje se ishte shumë herët për të konfirmuar se shkak për rrëzimin e avionit ishte akulli.

Kompania francezo-italiane që prodhon avionët ATR tha se specialistët e saj janë “të angazhuar plotësisht të mbështesin hetimet dhe klientët”. Të premten autoritetet filluan dërgimin e trupave në morg dhe u bënë thirrje familjarëve të ndihmojnë me të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e të afërmve të tyre./Voa