BOTA, 3 Korrik 2026, 21:24

250-vjetori i SHBA-së, Papa Leoni XIV: Emigrantët kanë luajtur rol në zhvillimin e vendit

250-vjetori i SHBA-së, Papa Leoni XIV: Emigrantët kanë luajtur

Në fjalën e tij, Ati i Shenjtë vlerësoi historinë e Shteteve të Bashkuara si një vend që ka qenë simbol i lirisë dhe shpresës për miliona emigrantë nga e gjithë bota.

“Gjatë 250 viteve të fundit, Amerika ka përfaqësuar për shumë njerëz idealin e lirisë, duke hapur dyert për breza emigrantësh që kanë kontribuar në ndërtimin dhe zhvillimin e vendit”, u shpreh Papa, që u duk edhe si një mesazh provokues ndaj Presidentit Donald Trump.

Ai kujtoi gjithashtu rolin e Shteteve të Bashkuara gjatë dy luftërave botërore, duke theksuar se vendi, me sakrifica të mëdha, ka mbrojtur kauzën e lirisë edhe përtej kufijve të tij.

Duke pranuar medaljen, Papa Leoni XIV, i lindur në SHBA, shprehu mirënjohjen për vendlindjen e tij dhe uroi që vlerat e Deklaratës së Pavarësisë të vazhdojnë të udhëheqin kombin drejt unitetit, drejtësisë dhe paqes.

“Si bir i këtij kombi të madh, bashkohem me ju në lutje që Zoti ta bekojë të ardhmen e Amerikës dhe që idealet e saj të vazhdojnë të frymëzojnë brezat e ardhshëm”, tha ai, duke e mbyllur fjalimin me thirrjen: “Zoti e bekoftë Amerikën!”.

Papa theksoi se ndërtimi i një shoqërie të bazuar në liri dhe drejtësi nuk ka qenë kurrë i lehtë dhe mbetet një sfidë që duhet përballuar nga çdo brez.

Sipas tij, përvjetori i 250-të i pavarësisë është një mundësi për të reflektuar mbi parimet themeluese të kombit dhe për të siguruar që SHBA të mbetet “toka e të lirëve dhe shtëpia e të guximshmëve”.

Në pjesën përmbyllëse të fjalimit, Papa Leoni XIV u ndal te mbrojtja e jetës njerëzore, duke theksuar se e drejta për jetën është themeli i të gjitha lirive të tjera.

Ai bëri thirrje që një shoqëri matet me mënyrën se si mbron më të pambrojturit dhe që ligjet të garantojnë mbrojtjen e jetës njerëzore “nga momenti i ngjizjes deri në vdekjen natyrore”.

Sipas Papës, madhështia morale e një kombi nuk qëndron vetëm te fuqia apo prosperiteti, por mbi të gjitha te aftësia për të mbrojtur dinjitetin e çdo njeriu, veçanërisht të atyre që janë më të cenueshëm.