BLOG, 27 Janar 2024, 10:59

Një qytet me 850 milionë lekë: Si u ndërtua Kukësi i ri, katër variantet e panjohura dhe “zhdukja” e Kukësit të vjetër nga HEC Fierzë

Një qytet me 850 milionë lekë: Si u ndërtua Kukësi i

Në vitin 1961, Drejtorisë së Projektimit dhe Ndërtimit të Hidrocentraleve i vjen urdhëri për studimin e skemës së shfrytëzimit të lumit Drin për prodhim energjie elektrike.

Varianti që gjeti zbatim parashikonte ndërtimin e hidrocentraleve të Vaut të Dejës, Komanit dhe Fierzës.

Kuota e liqenit të Fierzës parashikohej të arrinte në 500 metra, duke sjellë në mënyrë të pashmangshme përmbytjen e një qyteti; Kukësit, që ndodhej në kuotën 255 metra. Sëbashku me qytetin e Kukësit përmbyteshin edhe disa fshatra.

Fshatrat që do të përmbyteshin ishin fshati Brut me 300 banorë, fshati Ramhasë me 200 banorë dhe fshati Kolsh me 300 banorë. Ndërkohë përmbyteshin edjhe tokat e punueshme të katundeve Shalqi me 120 banorë, Kënetë me 140 banorë dhe Pobreg me 800 banorë të cilët gjithashtu do të transferoheshin në qytetin e ri.

Asokohe qyteti i Kukësit kishte 4 mijë banorë dhe sëbashku me banorët e fshatrave që përmbyteshin arrinte në 6 mijë.

Ndaj, edhe projektimi i qytetit të ri duhej të merrte parasysh jo vetëm popullsisë ekzistuese që shpërngulej por edhe projeksionin e zhvillimit të ri si rrjedhojë e rritjes natyrale dhe të efekteve demografike që sillte zhvillimi i qytetit të ri të Kukësit si qendër administrative dhe vendbanimi për punëtorët e minierave të kromit, bakrit e industrive të tjera.

Në këto kushte, duhej projektuar një qytet që do të kishte kapacitet rreth 10 mijë persona.

4 variantet se ku do të ndërtohej qyteti i ri i Kukësit

Për zonën se ku do të ndërtohej qyteti i ri i Kukësit ekzistonin 4 variante. Sipërfaqja që duhej të dispononte zona ku do të shpërngulej dhe ndërtohej qyteti i ri ishte së paku 50 hektarë.

Varianti i parë ishte për ndërtimin e qytetit të zonën e Bicajt. Ndërsa analizohej ky variant, Bicaj kishte anë pozitive shfrytëzimin e ndërtimeve ekzistuese të fshatit dhe hapësirën e nevojshme për zhvillimin e një qyteti.

Megjithatë ky variant del i paleverdisshëm mbasi ndodhet 18 kilometra nga zonat e mineralizuara, 9 kilometra larg kryqëzimit të rrugës Shkodër-Kufi, relievi i vendit është me pjerrësi të theksuar dhe qyteti është mjaft i shpërndarë” shkruhej në relacionin e vitit 1961 kur studioheshin këto variante, nga ministri i Ndërtimit dhe Komunikacioneve Josif Pashko.

Varianti i dytë ishte në zonën mes fshatrave Shtiqen dhe Nangë. Por ky variant edhe pse zotëronte sipërfaqen, paraqitej i papërshtatshëm sepse dielli në këtë zonë del rreth orës 10 pasi pengohej nga Mali i Gjallicës.

Një problematike tjetër që e bënte të disfavorshëm këtë variant ishte se qyteti i ri do të rrezikohej nga shkëmbinjtë dhe orteqet e borës që vinin nga Mali.

Po ashtu, disfavorizuese për këtë zonë ishte edhe fakti se ndodhej larg zonave të mineralizuara dhe larg kryqëzimit të rrjetit rrugor.

Varianti i tretë ishte ndërtimi i qytetit të Kukësit në fshatin Gostil. Ky fshat paraqiste kushte të favorshme por kishte të metë rritjen e largësisë nga zonat e mineralizuara, distancën e largët me qytetin e Kukësit të vjetër si dhe distancën nga kryqëzimi i rrjetit rrugor.

Një element tjetër disfavorizues për këtë variant ishte edhe fakti se zona e Gostilit kishte toka pjellore dhe me ndërtimin e qytetit të ri ato do të dilnin jashtë përdorimit për t’u kthyer në zonë banimi, duke ulur më tej aftësinë prodhuese në bujqësi të rrethit.

Varianti i katërt ishte ndërtimi i qytetit të zonën e Ramhasës. Ky variant mori miratimin e Ministrisë së Ndërtimit dhe të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit të Kukësit. Zona e Ramhasës ku u ndërtua qyteti i ri i Kukësit kishte këto anë pozitive.

-Ishtë afër qytetit të vjetër (2 kilometra) gjë që krijonte kushte shumë të favorshme për ndërtimin e qytetit të ri.

-Ndodhej në kryqëzimin e rrugëve Shkodër-Kufi me atë të Peshkopisë

-Ndodhej mes dy zonave kryesore të mineralizuara (Kalimash-Suraj dhe Gjegjan) larg nga secila deri në 10 kilometra.

-Ky vend ishte i hapur nga shumë drejtime, anash liqenit të ardhshëm duke krijuar pamje të bukur

-Nga pikëpamja bujqësore, karshi vendeve të tjera kishte tokë më pak prodhuese

-Qyteti në të ardhmen mund të lidhej me transport ujor me zonat kufitare të Jugosllavisë.

-Kishte kushte për zhvillim si qendër turistike dhe pushimi

Të ndërtosh një qytet të ri me 850 milionë lekë

Në vendimin e vitit 1961, parashikohej se kostoja e ndërtimit të qytetit të Kukësit do të ishte 850 milionë lekë. Kostoja për kohën konsiderohej jo e vogël. Për qytetin e ri parashikohej ndërtimi i apartamenteve të banimit, i strukturave ekonomike, sociale dhe kulturore, shtrimi i rrugëve etj.

Në total, në vitin 1961 parashikohej që qyteti i ri të kishte 1270 apartamente në të cilat do të strehoheshin banorët e qytetit të vjetër dhe banorët e disa fshatrave që prekeshin nga krijimi i Liqenit të Hidrocentralit të Fierzës.

Kostoja e apartamenteve për Kukësin e ri do të rezultonte më e lartë se kudo në Shqipëri për faktin se kërkohej që ato të ndërtoheshin me sipërfaqe më të madhe për shkak se familjet e Kukësit ishin familje të mëdha. Ndaj apartamentet e reja ishin me 2 ose 3 dhoma, plus kuzhinë. Po ashtu, për shkak të kushteve klimaterike të zonës ato duhej të ndërtoheshin me dritare dyfish dhe me mure me trashësi 38 centimetra.

Gjatë viteve ’60 në qytetin e Kukësit të vjetër nis një fushatë informimi lidhur me përfitimet që do të kishte vendi nga ndërtimi i hidrocentraleve, me qëllim që banorët të bindeshin që të shpërnguleshin.

Në vitin 1969 u miratuan edhe kriteret bazë dhe u aprovuan projektet e qytetit të ri të Kukësit. Paralelisht nisi ndërtimi i apartamenteve të reja dhe i godinave të tjera në qytetin e ri ndërsa në qytetin e vjetër dhe në fshatra nisi procesi gradual i shpërnguljes.

Për ndërtimin e qytetit të ri të Kukësit u ngarkuan një serë ndërmarrjes të vendit.

Për ndërtimin e apartamenteve u angazhuan Ndërmarrja e Ndërtimit e Kukësit, sëbahsku me ndërmarrjet e ndërtimit të Lezhës, Krujës dhe Shkodrës. Këto të fundit ndërtuan përkatësisht nga 240 apartamente.

Për qytetin e ri duhej që të ndërtoheshin edhe dy urat e mëdha mbi lumin Drin dhe rrugët Kalimash-Morinë dhe Kulla e Lumës-Qafa e Toblit me gjatësi 41 kilometra. Për ndërtimin e këtyre veprave u angazhuan Kantieri i Rruga-Urave Tiranë dhe i Rruga-Urave Elbasan.

Krahas ndërtimit të banesave në Kukësin e ri duheshin ndërtuar dhe shumë objekte social-kulturore dhe ekonomike si ujësjellësi, punishtja e frutave, fabrika e miellit, frigoriferi, ndërmarrja e përpunim drurit, oficina mekanike, parku automobilistik, spitali, hotel restoranti, dy shkolla 8 vjeçare dhe konvikti, dy çerdhe dhe një kopësht, shtëpia e pionerit, dhe shumë ndërtesa të tjera të administratës.

Po ashtu duheshin ndërtuar Kinemaja, godina e Postë Telegraf Telefonëve, qendra sanitare, muzeu, Pallati i Kulturës etj.

Në procesin e ndërtimit të qytetit u përfshinë dhe të rinjtë dhe pensionistët në formën e mobilizimeve vullnetare, kryesisht për sistemimin e rrugëve të qytetit që më vonë do të shtroheshin me asfalt.

Procesi i ndërtimit të qytetit të ri ishte një proces i mundimshëm, për vetë faktin se terreni ishte i vështirë dhe procesi u përball me vështirësi të shumta. Një  shkresë e vitit 1977 dëshmon se ritmet e shpërnguljes së banorëve ishin shumë të ngadalta.

Banorët e qytetit të ri të Kukësit

Qyteti i ri i Kukësit ishte projektuar fillimisht që të banohej vetëm nga ata që prekeshin nga përmbytja që shkaktonte liqeni i Fierzës. Në këtë qytet do të strehoheshin banorët e qytetit të vjetër dhe banorët e dy fshatrave që përmbyteshin plotësisht.

Ndërkohë për një pjesë e fshatrave që prekeshin pjesërisht u shpërngulën, përmes një procesi spostimi të fshatit, ku u ndërtuan apartamente të reja dhe në to.

I gjithë procesi i shpërnguljes zgjati disa vite, kohë në të cilët zhvillohej jeta paralelisht në qytetin e ri dhe në qytetin e vjetër të Kukësit.

Në vitin 1972, një urdhëresë pengonte strehimin në apartamentet e reja, të banorëve të fshatrave që nuk prekeshin nga përmbytja, por që donin që të jetonin në qytet. Kjo urdhëresë u kërkua të shfuqizohej në vitin 1997, ku u pranua që në qytetin e ri të Kukësit, të vinin edhe banorë të tjerë.

Por vendimi u refuzua nga autoritetet e kohës duke e konsideruar se nuk ishte e nevojshme për qytetin e ri transferimi i 260 punonjësve sëbashku me familjet e tyre që vinin nga fshatrat e Kukësit por që punonin në qytetin e ri.

Në këtë mënyrë, në qytetin e ri të Kukësit u vendosën fillimisht vetëm familjet që u prekën nga përmbytja që solli liqeni i hidrocentralit të Fierzës.

I gjithë procesi i transferimit të popullsisë, që shkonte paralel me ecurinë e ndërtimit, zgjati nga viti 1965 deri në vitin 1978.

Kukësi i vjetër u përmbyt nga ujërat e liqenit të Fierzës, dhe gjurma e tij del në pah sa herë që bie niveli i liqenit të hidrocentralit të Fierzës, apo ‘Liqeni i Dritës’ sikurse ishte emërtuar dikur. /SCAN