TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Memorie.al/ Sami Repishti: – Në Shqipni, nuk ashtë dokumentue e ndëshkue krimi komunist i së kaluemues, nuk ashtë ba “spastrimi shpirtnor”, rrëfimi i ndërgjegjshëm e denoncimi i kriminelëve ordinerë komunistë! –
‘Nën hijen e Rozafës’
Gjatë viteve ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluem, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë, ma parë e ma vonë mbi të gjithë botën, “fati” zuni për gryke edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rinjt, edhe unë u gjenda në nji udhëkryq ku duhej marrë nji qëndrim, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Atëherë i thashë “jo” diktaturës, e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuajse më vrau, më çliroi njëkohësisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist dhe komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makro-politikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjësova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe dëshira për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuem, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet.
EPILOG
Nji akt aq themeltar sa arratisja ilegale, në ballafaqim me vdekjen, me gjithë planifikimin e kujdesshëm, më dukej sikur ishte ndërmarrë në nji atmosferë joracionale. Kur mendojsha rrezikun e madh që kisha përballue, akti merrte karakter spontan, akt i shtymë nga instinkti i vetëmbrojtjes. Jo se nji akt i këtillë nuk u peshue mirë e gjatë para orës së veprimit; por, ditën që mora vendimin me u largue, nuk u mobilizova nga nji arsyetim, që më këshilloi me u hedhe në aventurën vdekjeprurëse, por nga nji shtymje e pakontrollueshme, që nuk mund të shpjegojsha e, që u ba zot i plotë i qenies sime.
Arratisja me pajisi me nji identitet të ri, atë të refugjatit politik, në nji vend të huaj. Qëndrimi im antikomunist në atdhe, ishte i njohun e isha i sigurt se, autoritetet jugosllave ishin në dijeni. Ky mendim më ndërgjegjësoi se, në kurrizin tim, qëndronte si barrë e kaluemja ime, definitivisht. Tashti e mbrapa e, për të gjithë jetën, unë do të mbajsha mbi supe nji “trashëgim”, vlerën e përgjegjësinë e veprës sime, në të kaluemen. Për të mirë ose për të keq, unë isha i pandamë nga ato, ndoshta edhe pengu i tyne! Në nji vend komunist si “Jugosllavia e Titos”, ky “trashëgim”, kërkonte të isha syçelë. Veprimtaria e së kaluemes, në nji përqindje të madhe i jepte formë, jo vetëm të tashmes, por edhe të ardhmes sime.
Tashti, ishte e qartë se kisha nji ide qendrore që kundërshtonte komunizmin e, që pranojsha si bosht të mendimeve e veprimeve të mia. Ishte fryma e bindjes sime, demokratike! Gjatë viteve të burgut në Shqipni, u përpoqa vazhdimisht me lidhë veprimtarinë time, me lëvizjet e së kaluemes, me qëllim që të krijojsha atmosferën e vazhdimësisë, në kohë dhe hapësinë, e mundësinë e vendosjes sime, brenda saj. Ishte thirrja e traditës! Por, në këtë qeli jugosllave, për refugjatët politikë, sfera e mendimit tim, ishte “përcaktue nga të tjerët”, si antikomunist, e ndihesha i kufizuem. Kjo më shqetësonte! Pjesëmarrja në nji marshim historik, justifikohet nga vendi ku zhvillohet e koha në të cilën jetohet; të dyja janë mbështetja ma e fortë, që mund të mendohet.
Atëherë, çdo gja duket sikur zen vendin e vet, frika e botës përreth largohet për ata që mendojnë, ankthi avullohet nga vala e ngrohtë e entuziazmit të pjesëmarrjes në këtë marshim. Individi i vogël rritet, merr përmasa mbinjerëzore, qe fisnikërohen nga madhështia e kauzës që i shërben. Të farkëtosh fatin tand me duert tueja e solidar me të tjerët, të shkruejsh historinë e vendit e kohës tande, janë kulmet ma të nalta që mund të arrijë çdo qenie e lire, që kërkon me justifikue jetën mbi tokë, e me ndërgjegjen e plotë, të vdekjes së paevitueshme. Ky, mendojsha, ishte thelbi i heroizmit të vërtetë. Thjeshtësia e kufizimit tim në kallëpin e “antikomunizmit”, më mohonte nji privilegj të këtillë.
Unë luftojsha kundër çnjerëzimit, pavarësisht nga ngjyra…! Nana e mjerë tregonte se, në nji ditë të ftohtë e të zymtë dimni, rojet e Sigurimit të Shtetit të Shkodrës, nuk i tregojshin ku gjindesha. Lutjeve të saj i përgjigjeshin me tallje. Kambënguljes së plakës që kërkonte me dijtë fatin e djalit, gardiani i indoktrinuar komunist, i përgjigjej me nji ton tallës: – “Do të dish se ku është djali”? – “Po atë pres për ma shumë se dy orë”, – përgjegji plaka. – “E mirë pra. Djali yt nuk është këtu, as në burgjet e tjera…! Gjeje ti vetë se ku është”. – “Ku ta gjej unë e mjera? Më ranë kambët tue ecë…”!
– “Nuk është larg! Ti e si ku janë varrezat? Atje…me të tjerët…”!
Plaka tregonte se kishte ra në gjuj. Kambët nuk e kishin mbajt ma e, zani nuk i kishte dalë nga goja. Me sy të drejtuem nga qielli i vranët i asaj dite dimni, kishte humbë çdo ndjenjë. Ashtu pa lëvizë, e gjunjëzueme në tokën e ngrime, dukej ma shumë si nji gur vorri pa formë, se nji qenie e gjallë. Fytyra e saj e verdhë nga dhimbja e, nxi nga era e akullt që e ngrinte, tregonte ma shumë nji të vdekun, se të gjallë. Buzët katran e të ngrime, nuk i kishin lëvizë, as sytë e mbërthyem ngultas, në retë e murrme që mbulojshin qytetin atë ditë. Vetë vendi e pamja rreth e rrotull, ishte kthye në nji vorr për djalin, që ajo ishte përpjekë me përfytyrue në mendjen e saj e, me përjetue në kujtime, çastin kur djali ishte pushkatue, shtye me kambë në gropën e hapun, fytyrën mbulue me dhe, i harruem, pa emën, pa gjurmë.
Para nji vegimi të këtillë, të mbështjellun nga hija e vdekjes, dy duert e saj ishin ngritë ngadalë kah qielli, vendi ku për atë qëndronte Krijuesi, e i ishte dorëzue Atij, pa kundërshtim…! Ishte kjo bota që unë luftojsha pa rezerva! Në atë çmendinë që ishte Shqipnia komuniste, që lashë mbas shpine, rojet komuniste ishin qen të tërbuem, të hipnotizuem nga propaganda partiake, që shkatërronte çdo ditë e ma shumë, në anën e tyne njerëzore. Ata kishin përvetësue zanatin e të bindunit verbënisht, rolin që u caktohej nga partia e diktaturës së proletariatit, në vendin tonë. E, nëqoftëse asnjë rol i denjë nuk u ofrohej e, mbetej vetëm ai i rrugaçit, që vjedh e vret qytetarët, rojet komuniste, me boshllëqe shpirtnore e mendore, ishin gati me pranue, vetëm me qenë pjesë e dramës së përgjakshme, që luhej në kurrizin e nji popullsie të nënshtrueme me dhunë.
Pretendimet e vazhdueshme të propagandës partiake se, punohet për të mirën e popullit, ishin vetëm sharlatanizëm i thjeshtë, i “Nanës Parti”! Ishte bota që unë luftojsha pa rezerva! Mendja e kriminelëve komunistë, ishte e smurë, ishte e mbrapshtë! Kujtojsha fytyrat e pa gëzim të “klasës punëtore”, në kantierët e vendit. Nuk shihsha asnji shej nga pushteti, ose Partia, që tregojshin mirëkuptim, për problemet e qytetarëve të thjeshtë. Përkundrazi! Kishte nji mungesë të theksueme dashunie, mëshirë e sensitiviteti, për popullin e thjeshtë, në udhëheqjen komuniste të vendit, nji grup mjeranësh të murosun nga nji histori çapkëne dhe e pashpirt. Vetë “udhëheqja”, ishte nji grup aventurierësh pa ndërgjegje, që synonte forcimin e pushtetit, mbrojtës i privilegjeve të tyne, dhe i të gjithë atyne – siç ishin rojet komuniste!
Që ishin lidhë në mënyrë të pazgjidhshme, me qerren e përgjakshme të tiranisë së vendosun nga “Nana Parti”! Ishte kjo bota, që unë luftojsha pa rezerva! Ngado që sillsha sytë, vrejsha vetëm nji prirje: përdorimin e dhunës. Çdo gja, sillte me vete nji tingull të përbashkët: zhurmën e përdorimit të dhunës. Emnuesi i përbashkët, për të gjithë ata që quajshin veten komunistë, ishte dhuna. Në dhunën ata njihshin njeni-tjetrin, në dhunën bashkoheshin si në kungim, para besimit të ri të “Nanës Parti”, që i krijoi, i ushqeu, i rriti e i çoroditi. Dhuna, krahu muskular i mercenarit, e zhveshun nga çdo parim moral. Lejonte forcën brutale me shtypë, me coptue, e me asgjasue! Ishte kjo bota, që unë luftojsha pa rezerva! Urrejtja e kulti i saj, shiheshin kudo, në bisedimet që bajshin, në fjalimet që mbajshin, në librat shkollorë, në shtypin e përditshëm, në letërsi, në art e muzikë, kur i thurshin kangë Neronit të kuq.
Urrejtja përfaqsonte dëshirën e goditjes me shpatë, ngrente cilësinë agresive të ushtarakut pa zemër, nxiste përleshjen me “kundërshtarin”, të vërtetë ose imagjinar, që nuk ishte tjetër, veçse bashkë vendasi: nji vëlla që përbuzte diktaturën, nji shok që nuk pranonte tradhtinë, nji qytetar që ngulte kambë, me jetue i lirë. Lëvizja e shfrenueme e dhunës dhe urrejtjes, rrokullisej në mënyrë të paevitueshme poshtë, në humnerën e militarizmit të jetës së përditshme. “Në një dorë pushkën, në tjetrën kazmën”! që predikonte “Nana Parti”! nuk ishte tjetër, veçse puna e detyrueshme nën frikën e pushkës, puna në shërbim të “rendit” të vendosun nga pushka, puna skllave e pushkës vrastare, dy vlera themelore, të rendit të ri komunist në Shqipni! Ishte kjo bota, që unë luftojsha pa rezerva!
E gjithë historia mijëvjeçare e vendit tim, në ato çaste dëshprimi, më dukej sikur nuk kishte kuptim, sikur kishte mbet në duert e fatit të verbët e të marshit të tij të pakontrollueshëm, çapkën e shtypës. Gjithçka ishte e ngurtë, si rregullat e burgut e të kampit të punës së detyrueshme, që kisha përjetue. Të nesërmet premtuese, ishin vetëm të sotmet plot vuejtje. Ku ishin shpresat, për nji jetë ma të mirë? A mund të pritej nga udhëheqësit e çmendun, të hiqshin dorë nga rruga e tyne, nga kambëngulja në kauzën që kishte humbë kuptimin?
Por, duhej të pranojshim se tragjedia e vendit, ishte e paevitueshme, sepse edhe ndryshimi i mundshëm, ishte jashtë kontrollit të atyne që mbajshin pushtetin me forcë, jashtë kontrollit të “Nanës Parti”! Në qoftë se po, cili ishte atëherë kuptimi i rezistencës sonë antikomuniste, i vuajtjeve tona për demokraci? Nji akt guximtar, fisnik, por vetëvrasës? Shqipnia e torturueme, më dukej e transformueme në nji altar të madh, të ngritun për Meshën Solemne, ku rolin e korit kishtar, e luejshin ata që mbulojshin fytyrën me duar, kur vajtojshin, ata që himnizojshin me lot, fshamje, e lutje të pambarim. Krijuesin e Lirinë, që kishin humbë.
Ishte kjo botë që unë dashunojsha pa rezerva! Shqipnia e njimendtë, ishte nën dhe! Aty ishte vuejtja e ushqyeme me sakrifica, aty ishte nderi, aty ishte fara e fitores. Vargjet e gjata të grave krahthata e, të veshuna në zi, ishin aty me dëshmue. Shqipnia ishte nën dhe, por fitimtare mbi errësinën që e mbulonte, për hir të peshqesheve të ofrueme Hadesit të pangopun, në atë shpellë pa dritë, të ftohët e të pashpirt. Shqipnia e njimendtë, ishte nën dhe, si nji familje e vetme! Ata që ulen me frikë në tryezën me vende të boshatisuna përjetë, e ata që nuk hanë fare, në qelitë pa shpresa; ata që flejnë me zemër të ngrime e, ata që pa gjumë ngrihen akull në bodrumet nëntokësore; ata që jetojnë përjashta, për nji copë bukë të thatë e, ata që barkthatë punojnë e coptohen në kampet e mbylluna; ata që kanë frikë me qa, e ata që derdhin lotë kryenaltësie, për shokët që durojnë vuajtjet pa u lëkundë, të gjithë së bashku, të lidhun si vëllau me vëlla, i jepshin madhnisht rezistencës kundër çnjerëzimit, justifikimin e përhershëm moral.
Ishte kjo bota që unë dashunojsha pa rezerva! Shqipnia e njimendtë ishte nën dhe! Sepse, ashtu e deshtën shqiptarët që nuk deshtën vdekjen e Shqipnisë. Në këto vorreza pa emën, që kriminelët e kuq, shembën nga frika se ringjallja e tyne do t’i kthente në tempuj adhurimi, gjindej i vetmi tempull i denjë për këtë emën, suaza e të cilit, ishte burgu e kampi katror, i rrethuem nga telat me gjemba e, gryka e pushkës vrastare partizane. Ishte kjo bota, që unë nderojsha pa rezerva!
Lavdia e trojeve tremijëvjeçare, ishte fisnikëria e sakrificës supreme, që u ofrue në altarin e Lirisë, nga mija të vramë e të pushkatuem, e nga dhjetramija të burgosun, që mbushën burgjet e kampet e përqendrimit.
Kryenaltësia e vendit ishte shpirti i panënshtrueshëm i rezistencës anti-diktatoriale që përfaqësonte demokracinë, ishte refuzimi dinjitoz i bijve e bijave ma të mira, me pranue çnjerëzimin. Kjo brezni ishte shpresa ma e mirë e vendit, e ishte kjo brezni e re, e rritun nën komunizëm, që kishte hedhë poshtë kërkesën me vu entuziazmin, në shërbim të nji kauze që nuk tërhiqte, me pranue nji ideologji që nuk frymëzonte, e me përkrahë nji pushtet që nuk përfaqësonte, veçse privilegjet e veta. Ishte kjo bota që unë adhurojsha pa rezerva!
E, për ata që pranuen pa u ankue këtë flijim suprem, për ata që përqafuen me afshin e mistikut, vuajtjen e pabesueshme që kërkoi edhe gjakun e tyne, me lehtësue qoftë edhe fajin e xhelatëve, tue marrë kështu përsipër, ringjalljen e besimit të të gjithëve, në nderin e dinjitetin e qenies njerëzore, për ata që u hodhën me guxim, ne zjarrin e ndezun nga çetat e satanëve të “Nanës Parti”! akt çlirues e purifikues, i fajit që verboi sytë e vllazënve e motrave të tyne, të fundosun në pellgun e humbjes së përjetshme, për ata, o vëlla e motër e imja, fjala asht e tepërt e gjesti jone mirënjohës, nuk tregon si duhet, madhështinë e aktit të tyne mbinjerëzor.
Ndoshta, heshtja e madhe, e plotë, e thellë, misterioze e masave të gjana besimtare, që nuk dinë me shprehë dhimbjen me fjalë, veçse me lutje, mund të jetë veli i vetëm, i hyjnueshëm, që mbështjell kujtimin e tyne të pavdekshëm e kunora e zbukurueme, aureolë shejtnie, në ballin e tyne ngadhnjimtar! Ishte kjo bota që unë dashunojsha pa rezerva!
***
O bijt e bijat fatzeza të Shqipnisë së martirizueme! Ju, me kockat e gjunjëve të thyeme me çekan para ekzekutimit, që të mos tentoni ikjen nga burgu;
– ju të mjerë, që ju shkulën dhambët e gojës e thonjtë e duerve, e u prenë gjuhën me gërshanë, qe të mos tregoni te vërtetën qe keni dëshmue në qelitë e Sigurimit;
– ju të rrahunit egërsisht me dru të pagdhendun, deri në vdekje, e me gjenitale të shkatërrueme, që të mos lindni “fëmijë reaksionarë”;
– ju me sytë e djegun me cigare, trupin e premë me thikë e plagët e mbushuna me kripë;
– ju që u varët me litar për ditë e javë të tana në degët e pemëve, dritaret e qelive e tavanet e qendrave të izolimit;
– ju që u hodhët nga dritaret e kateve të nalta, me i shpëtue torturës së padurueshme;
– ju që vdiqët nga uria e pagjumësia, nga dhimbja, dëshprimi e vetmia, në qelitë e errta;
– ju, të rij e të reja qytetarë, që vuejtet për dekada të gjata në fshatra malore, pa dritë e pa ngrohje, dimën e verë, në punë të randa krahu, vetëm sepse me guxim, përbuzët degjenerimin që kërkojshin nga ju pashallarët e kuq, të harremeve komuniste;
– ju të rij e të reja, malsorë e fshatarë, që u detyruet me krrusë kurrizin, në projekte të çmenduna të pushtetit të pashpirt;
– ju klerikë, paqësorë e martirë, që para vdekjes, mbajtët besën e dhanë Krijuesit që adhuroni;
– ju nana, që akoma në të zeza vajtoni djalin e vramë e të zhdukun pa gjurmë, bashkëshorte të veja, me burrat gjallë në burgje e kampe shfarosjeje;
– ju bija, motra e vllazën të familjeve të përndjekuna, që u rrahët, u demaskuet, u përbuzët, u ndrydhët në kantieret e punëve ma të randa, me qëllim që të përkuleshit nën presionin e tiranisë së kuqe të “Nanës Parti”! që kërkonte poshtnimin moral e shkatërrimin tuej fizik;
– ju qytetarë shqiptarë në të gjithë vendin, që u shfrytëzuet ma keq se skllavet e piramidave, në kampet e punës së detyrueshme, në kantieret e “punës vullnetare”, në minierat e pasigurueme e në moçalishtet malarike, pa mëshirë e pa mbrojtje;
– ju, të gjitha ju, o krijesa fisnike, që nga Vermoshi deri në Konispol, që u persekutuat me kambëngulje e egërsi për dekada me radhë, vetëm sepse deshët jetën e lirë,
– e, ju o luftëtarë të lirisë, që dhatë jetën me armë në dorë për çlirimin e nji populli të shtypun
e pavarësinë e atdheut të tradhtuem:
– më pranoni sot si nji vlla i familjes suej të madhe, bashkësisë dinjitoze të vuejtjes së pameritueme;
– më pranoni sot si dëshmitar i gjallë i mesazhit tuej çlirimtar, të qëndisun me duert tueja, që ende dridhen nga vuejtja e pakufi, vuejtje që kthyen dinjitetin në vendin tonë të përbashkët, tue premtue shpresën e pavdekshme të demokracisë e të lirisë së plotë, për të gjithë familjen njerëzore… nji dhe e pandame!
E të gjithë së bashku, le të kalojmë mesazhin tonë çlirimtar, si trashëgim për breznitë e reja:
Qoftë tragjedia jonë kolektive, frymëzim për nji kryqezatë kundër torturës, në çdo vend dhe në çdo kohë. Kurrë ma, kurrë ma…!