TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Para rreth dy javësh (12 nëntor), me një grup kolegësh nga shoqata shqiptare për të drejtën ndërkombëtare dolëm me një apel për një armëpushim të menjëhershëm në konfliktin mes Hamasit dhe Izraelit dhe lirimin e pengjeve izraelitë. Po ashtu, ne shprehëm pritshmërinë tonë që Këshilli i Sigurimit (KS) dhe Asambleja e Përgjithshme (AP) e OKB-së dhe shtete kyçe, përfshirë SHBA-të, duhet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm me synimin për të ndalur konfliktin dhe për të arritur sa më shpejt të jetë e mundur, bazuar në të drejtën ndërkombëtare, një zgjidhje të negociuar për krijimin e një shteti palestinez, që ekziston krah për krah me Izraelin dhe fqinjët e tij të tjerë, me paqe dhe siguri për të gjithë në rajon, ashtu siç është kërkuar në mendimin këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND-së) që në vitin 2004, pra rreth 20 vite më parë. Kjo deklaratë është bërë së bashku me tre kolegë të shoqatës, përkatësisht Erjon Muharremaj, Rudina Jasini dhe Furtuna Sheremeti.
Çfarë është shoqata shqiptare për të drejtën ndërkombëtare dhe si lindi kjo deklaratë e përbashkët?
Para 10 vitesh me disa kolegë krijuam shoqatën shqiptare për të drejtën ndërkombëtare që përfshin studiues shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, dhe diaspora jonë shkencore, me disa qëllime, por kryesoret janë lëvrimi i së drejtës ndërkombëtare në shqip dhe gjuhë të tjera dhe integrimi i studiuesve tanë në rrjete profesionale ndërkombëtare, si Shoqata për të Drejtën Ndërkombëtare me qendër në Londër. Kjo e fundit sivjet festoi 150 vjetorin e saj. Ne si shoqatë festuam 10 vjetorin tonë me një konferencë të madhe në Tiranë në maj 2023. Shoqata jonë ka lëshuar një deklaratë lidhur me pushtimin e Ukrainës nga Rusia në vitin 2022. Pas gati pesë javësh pa një fund në dukje të konfliktit të armatosur në Rripin e Gazës, ne diskutuam dhe disa nga ne e gjetëm të arsyeshme të dalim me një deklaratë edhe në lidhje me këtë konflikt.
Çfarë synon deklarata?
Deklarata synon që të informojë publikun shqiptar në lidhje me situatën nga perspektiva e së drejtës ndërkombëtare. Ne shprehëm shqetësimin tonë të madh për përshkallëzimin e dhunës në territorin e pushtuar Palestinez që nga sulmi i 7 tetorit 2023 nga militantët e Hamasit, që rezultoi në rreth 1,200 izraelitë të vrarë dhe disa mijëra të dëmtuar, dhe rreth 240 të marrë peng, duke përfshirë fëmijë dhe të moshuar. Në të njëjtën kohë, ne shprehëm shqetësimin tonë për operacionet ushtarake nga ushtria izraelite, prej të cilave deri tani rreth 15 mijë palestinezë janë vrarë dhe mbi 36 mijë janë plagosur, prej të cilëve rreth 6 mijë fëmijë dhe 4 mijë gra. Për më tepër, për shkak të bllokadës thuajse të plotë të Rripit të Gazës nga energjia elektrike, ushqimi dhe uji dhe ilaçet, çdo ditë që kalon 2,3 milionë banorët e saj janë në rrezik të shtuar të një katastrofe humanitare. Të dhënat lidhur me efektin e veprimeve ushtarake të ushtrisë izraelite përditësohen çdo ditë nga Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare në territorin e pushtuar palestinez (shih www.ochaopt.org).
Cilat janë pikat konkrete ku shkelet e drejta ndërkombëtare?
Apeli ynë është bazuar në tre imperativa të ndërlidhura, që përfshijnë lirimin e të gjithë pengjeve izraelitë pa vonesë; armëpushimin dhe lejimin e ndihmës humanitare në Gaza për të shpëtuar popullsinë civile nga katastrofa humanitare; dhe, dhënien fund të pushtimit izraelit të territoreve palestineze dhe sigurimin pa vonesë të së drejtës të popullit palestinez për vetëvendosje. Është e qartë se ka shkelje të dukshme (prima facie) të së drejtës ndërkombëtare nga veprimet ushtarake të palëve në konflikt, të cilat duhet të hetohen nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP). Nga Hamasi janë aktet e vrasjes, gjymtimit, apo krimeve të tjera kundër civilëve izraelitë, përfshirë marrjen e pengjeve civile. Nga operacionet ushtarake të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës brenda një periudhe rreth 50 ditësh janë vrarë rreth 15 mijë palestinezë dhe dëmtuar rreth 36 mijë të tjerë. Kemi shkatërrime në masë të objekteve civile si shkolla, spitale, dhe rreth 50% e banesave raportohen të shkatërruara ose të dëmtuara. Këto shifra të çojnë drejt përfundimit se sulmet e ushtrisë izraelite nuk janë konform parimit të dallimit dhe të proporcionalitetit dhe për pasojë mund të klasifikohen si krime lufte nën Statutin e GJNP-së. Ndalimi i ndihmës humanitare për të arritur popullsinë palestineze në nevojë është një tjetër shkelje e të drejtës ndërkombëtare humanitare dhe asaj penale. Një shkelje tjetër serioze është nxitja e akteve të dhunës dhe gjuhës dehumanizuese të përdorur në publik nga zyrtarë të lartë shtetërorë izraelitë dhe të Hamasit, që mund të konsiderohen deri si thirrje gjenocidale. Përgjegjësit për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera të paktën që nga 7 tetori 2023, por që mbulojnë të gjithë periudhën e situatës së Palestinës përpara GJNP-së, referuar nga Palestina në vitin 2015, duhet të mbajnë përgjegjësi. Kryeprokurori i GJNP-së duhet t’i japë përparësi punës për situatën në Palestinë dhe Asambleja e Shteteve Palë duhet t’i sigurojë Gjykatës burimet që i nevojiten për të kryer këtë punë.
Roli i Shqipërisë në këtë konflikt
Përtej deklaratës sonë të përbashkët që gjendet këtu, dua të shtoj në kapacitet personal shkurt disa pika kryesore lidhur me rolin e Shqipërisë në këtë konflikt. Shqipëria e ka njohur Izraelin që në prill 1949 (kur Shqipëria nuk ishte akoma pjesë e OKB-së) dhe shtetin palestinez në nëntor 1988, pra rreth 35 vjet më parë. Së pari, si anëtare jo e përhershme në KS deri në fund të këtij viti, Shqipëria duhet që të jetë pjesë e shteteve që mundohen t’i shtyjnë palët drejt një armëpushimi të përhershëm dhe të kërkojë një zgjidhje të përhershme të konfliktit përmes bisedimeve të paqes bazuar në iniciativën arabe për paqen të vitit 2002 dhe të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e KS-së dhe të AP-së. Arritja e armëpushimit të plotë mund të bëhet duke u bazuar në Rezolutën 2712(2023) të KS-së të 15 nëntorit 2023, përgatitur nga Malta dhe mbështetur nga 12 shtete përfshirë Shqipërinë. Shqipëria nuk duhej të kishte abstenuar gjatë votimit për Rezolutën e AP-së të 26 tetorit 2023. Sidoqoftë, me rëndësi është që armëpushimi humanitar që ka zgjatur një javë duhet të çojë sa më shpejt drejt një armëpushimi të plotë në mënyrë që të evitohen viktima të tjera të pafajshme. OKB-ja dhe shtete të fuqishme nuk duhet të lejojnë që shkatërrimi i Gazas të vazhdojë dhe që bllokada e zgjatur e ndihmave humanitare dhe sulmet e ushtrisë izraelite të çojnë në zhvendosjen me forcë të popullsisë palestineze nga Gaza në Sinai.
Përtej punës së saj në Këshillin e Sigurimit, së dyti, Shqipëria ka detyrimin nën Konventat e Gjenevës t’u kujtojë palëve se duhet t’i respektojnë ato me përpikmëri. Së treti, Shqipëria ka detyrimin të mos pranojë aneksimin e avashtë të territoreve palestineze përmes vendbanimeve ilegale izraelite dhe vazhdimin e pushtimit izraelit që pengon të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje. Këto janë detyrime ligjore nën të drejtën ndërkombëtare që Shqipëria ka pranuar, dhe të cilat janë shpjeguar në detaje në mendimin këshillimor të GJND-së të vitit 2004 e të cilat do të detajohen më tej në mendimin e dytë këshillimor mbi situatën në territorin e pushtuar palestinez që pritet të jepet nga kjo gjykatë gjatë vitit 2024. Shpresojmë se viktimat izraelite e palestineze të këtij konflikti do të gjejnë paqe dhe drejtësi. Po ashtu, shpresojmë se jo vetëm që do të evitohet përshkallëzimi i mëtejshëm i konfliktit, por të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, përfshirë Shqipërinë duhet të kontribuojnë drejt përfundimit të tij dhe rikthimit në tryezën e bisedimeve, në mënyrë që populli palestinez të gëzojë sa më shpejt të drejtën e tij për vetëvendosje.
*President i shoqatës shqiptare për të drejtën ndërkombëtare