BLOG, 1 Janar 2024, 21:43

Konferenca e shtypit e Edi Ramës në fund të vitit 2033

Konferenca e shtypit e Edi Ramës në fund të vitit 2033

Viti 2033, pavarësisht trazirave në botë, ishte një vit i mirë për Shqipërinë- tha kryeministri Rama në pritjen tradicionale të organizuar për gazetarët në sallën e konferencave të shtypit në kryeministri.

Pritëm 22 milionë turistë. Kush e kishte menduar vetëm pak dekada më parë, saktësisht vetëm dy dekada më parë, kur shqiptarët na votëbesuan në mënyrë plebishitare se do të kishim këtë bum turistik. Shqipëria ka bërë hapa të sigurt drejt anëtarësimit në BE dhe është koha që burokratët e Brukselit të hapin sytë dhe të shohin përparimin real që ka bërë vendi. Por sot kam vendosur që të mos flas shumë sepse në fakt flasin punët dhe veprat e kësaj qeverie. Fillojmë me pyetjet!

-Si i komentoni zgjedhjet lokale ku kandidatët e partisë tuaj në Lezhë, Velipojë, Pukë dhe Malësi e Madhe humbën përballë kandidatëve me origjinë nga Afrika dhe Bangladeshi?

Çfarë do me thënë kandidatë nga Afrika dhe Bangladeshi? Jeton në këtë glob apo ke mbërritur në Mars para Elon Musk-it? T’iu vijë turp për këtë racizëm të pashoq. Janë 10 milionë e kusur shqiptarë që jetojnë nëpër botë. Harroni se prindërit tuaj kanë qenë dikur afrikanë në Europë? Çfarë problemi ka se fitoi zotëria që ka ardhur nga Bangladeshi, mos është më i zgjuar ai që ka lindur në Bradashesh?! Pyetje është kjo?

- Zoti kryeministër, Që nga censusi i fundit i 2023 ku rezultuan 1.8 milionë shqiptarë, zëra nga opozita se tani në Shqipëri pas censusit të këtij viti janë 1.1. milionë banorë?

Opozitës mesa duket nuk i ka mbetur ndonjë punë tjetër veçse të numërojë sa shqiptarë janë në Shqipëri. Të presim me qetësi rezultatet e censusit dhe çfarë problemi ka këtu. Ata që kanë ikur, po i dërgojnë një mesazh të qartë BE-së se nëse nuk e duan Shqipërinë anëtare si vend, shqiptarët do të anëtarësohen individualisht dhe familjarisht. Pastaj atë që kemi bërë ne, nuk e ka bërë kush- vërtet kanë ikur nja 2 milionë shqiptarë, por po kthehen, po kthehen sot si turistë, nesër mund të vijnë si investitorë. Por këto ju nuk i shihni, se nuk doni t’i shihni.

-Zoti kryeministër një pyetje që do të dëshiroja t’ua bëja për hir të transparencës, Banka e Shqipërisë ka nxjerrë monedhën e re 100.000 lekë. Opozita dhe një pjesë e medias thotë se aty nuk është  foto e Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit shqiptar, por është foto juaj që konsideroheni si themeluesi i shtetit modern shqiptar. A keni një koment për shikuesit e televizionit tonë kombëtar?

Të falenderoj për pyetjen. Unë tani me moshë jam pak më i vjetër se Ismail Qemali kur ngriti Flamurin në Vlorë, dhe është fakt se fotot tona ngjajnë. Unë nuk di të them në më ngjan ai mua apo i ngjaj unë atij. Këtë diskutojeni nëpër banaqet e darkës. Nuk kam kohë për të humbur me debate pa bukë.

-Gjatë këtij viti ju kemi parë në inspektime të shumta. Opozita ju akuzon për zvarritje të qëllimshme të punimeve?

Rrugët, opozita që ka humbur rrugën me qoftëlargun, i di se  janë vezë që ushqen pulën në mëngjes dhe shkon me shportë te furriku në darkë. Veprat kërkojnë kohë. Po avancojnë me ritme të kënaqshme punimet në rrugën Qukës-Qafë Plloçë, drejt përfundimit është Rruga e Arbrit, që siç e dini për shkak të gjeologjisë ka pasur ca vonesa me 3-4 mandate, ndërsa do të hapet pothuajse plotësisht Unaza e Tiranës, por financimi do të vijojë edhe gjatë mandatit të 6-të Ndërkohë këto ditë do të nisin punët në lotin 9 të korridorit tetë.

-Sa të vërteta janë zërat se tashmë keni një marrëdhënie më të mirë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti?

Marrëdhëniet e mia personale me Albin Kurtin kanë qenë, janë dhe do të jenë shumë të mira. Aty ku ndahemi, janë çështje që kanë të bëjnë me fatin e Kosovës dhe me ruajtjen si sytë e ballit të miqësisë me kumbarët e Kosovës.

-SPAK po vijon hetimet komplekse për inceneratorin e Tiranës, a druheni se prokurorët do të mbërrijnë një ditë në zyrën tuaj?

Po të kisha kohë që të prisja SPAK-un, nuk do të kishim sot një Shqipëri që e respektojnë dhe e nderojnë jo vetëm përtej Adriatikut, dhe ky është fakt, por edhe për tej oqeanit Atlantik dhe oqeanit Paqësor! Jam kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe jo kryeministër i Republikës së Prokurorëve.

-Zoti Kryeministër, Shoqata e Gazetarëve ju ka dhënë çmimin si “intervistuesi më i mirë” për ciklin javor të podcast-eve “FLASIM”. Pse keni refuzuar të merrni çmimin?

Me gjithë respektin e padiskutueshëm nuk kam mbetur që të më vlerësojë “Shoqata e Gazetarëve”. Vlerësimin e kam marrë nga shqiptarët që më votojnë rregullisht mua dhe Partinë Socialiste.

-Sa të vërteta janë zërat se në bashkëpunim me një pjesë të deputetëve të opozitës ju do të ndryshoni Kushtetutën, me synimin për t’u bërë vetë president pas mbarimit të mandatit 6-të?

Unë di të them vetëm një gjë: sa kohë që shqiptarët do të më votojnë si kryeministër apo si president, unë do të jem në shërbim të tyre. Të tjerat, siç thoshte Gjergj Fishta, janë “dokrra hini”.