IDE, 2 Qershor 2022, 10:43

Gruaja e bariut, paniku moral dhe media

Gruaja e bariut, paniku moral dhe media
Kristi Pinderi

Ka një mekanizëm të përpiktë gati industrial që riprodhon në Shqipëri forma tipike të kontrollit shoqëror. Ky mekanizëm ka një emërtim konkret: quhet paniku moral.
Paniku moral mori vëmendje sidomos pas botimit në 1972 nga sociologu dhe studiuesi i kriminologjisë Stanley Cohen i librit “Folk Devils and Moral Panic”.

Si lind, si zhvillohet dhe çfarë synon ky panik shoqëror?

Ai zhvillohet mbi të gjitha përmes një metodologjie të përkufizuar nga kritikët e medias si “spiralja e amplifikimit të deviancës” (Deviancy amplification spiral - ne nje kontekst me aktual fjala deviance mund te zevendesohet kollaj nga "nje ngjarje e pazakonte")
Si fillim duhet të ketë një ngjarje lokale, zakonisht krejt pa rëndësi, por që mbart aftësinë të krijojë mendime kontradiktore dhe të provokojë qëndrime emocionale në shoqëri, qëndrime me lidhje të forta me moralin e me aspekte të kulturës.

Ngjarja lokale merret pastaj nga media e cila prodhon raportime pas raportimesh në një mënyrë frenetike duke e amplifikuar efektin deri në atë pikë sa të anashkalohen plotësisht ato fakte që në mungesë të emocionit do të mjaftonin për ti dhënë ngjarjes një shpjegim racional.
Ndodh për shembull që në këtë spirale budallallepsjeje faktet, apo statistikat që tregojnë se ngjarja në fjalë mund të mos ketë asnjë relevancë në shoqëri (pra të mos jetë në asnjë moment përfaqësuese e shoqërisë apo të mos jetë në vetvete as lajm) të injorohen plotësisht pasi ato i hedhin ujë zjarrit, në një moment kur zjarri u duhet se s’bën disa aktorëve që përmes këtij paniku bëhen të rëndësishëm. Cilët janë këta?

Në kulmin e zjarrit që ka shkaktuar tashmë një histeri kolektive (apo siç e quan Cohen një panik moral) ka gjithmonë individë që në sociologji përkufizohen si matrapazë morali. Njësoj si sipërmarrësit e pandershëm që shesin sapunin për djathë që të fitojnë përmes mashtrimit dhe hiles, këta matrapazë të mbuluar me petkun e politikanit, apo të bariut fetar që e quajnë “pastor”, apo me petkun e këngëtarit të dikurshëm që sot thotë se është piktor, a të psikologes pa liçencë që nuk di as të shkruajë shqip, pra këta matrapazë gjenden papritur në qendër të vëmendjes.

Funksioni i tyre (herë me vetëdije e herë krejt aksidentalisht) është ta mbajnë të zgjuar e ta zhvillojnë më tej panikun moral që ky pastaj të shndërrohet në një mjet operacional për të mbajtur (apo grabitur) pushtet dhe kontroll politik e shoqëror, e kështu me rradhë.
Welch, Price dhe Yankey (2002) kanë argumentuar në mënyrë të përsëritur përmes studimeve të tyre se paniku moral shërben për të ruajtur interesat e grupit shoqëror që ka akoma në dorë frerët e kontrollit ekonomik, politik e shoqëror të vendit. Pra nga paniku fitojnë ata që janë ndërkohë të pushtetshëm në shoqëri. Paniku moral është kështu një armë e mirëfilltë për ta penguar një shoqëri të avancojë dhe për ta mbajtur atë të ndrydhur nën thundrën e mekanizmave kontrollues të… moralit vetë!

Po çfarë forme ka paniku moral që synon t’i fusë frikën shoqërisë?
Këto forma janë absurde, herë komike, por të gjitha kanë pothuajse gjithmonë sukses në panikosjen e njerëzve:
“Po i lamë afganët të vijnë në Shqipëri do na marrin gratë!”
“LGBT po na shkatërron familjet.”
“Duan të na i bëjnë fëmijët gej e lezbike! Larg duart nga shkollat!”
“Soros po e shpopullon Shqipërinë” (ndërkohë pak rëndësi ka roli direkt i kryeministrit në këtë çështje).
“Sa shumë vajza në Instagram… Me foto nga Dubai!”

Media bëhet palë me ta! Shpesh për klikime, por akoma më shpesh sepse media – sidomos ajo mainstream është pjesë e elitës së vendit që i intereson të ruajë interesat dhe pozicionin hegjemonik në një shoqëri të panikosur. Sepse një shoqëri e panikosur është një shoqëri më lehtësisht e mashtrueshme, e për pasojë, e kontrollueshme.

Po shikoja dje emisionin Opinion. Ajo që më bëri përshtypje ishte se si emisioni ishte ndërtuar mbi premisat e barazlargësisë. Teksa prezantonte temën (ngjarja në Librazhd) Fevziu pozicionohej si neutral kur prezantonte ngjarjen dhe kur lexonte valën e pandalshme të urrejtjes e të dhunës në rrjetet sociale.

Por në atë iluzion të neutralitetit ishte viktima (ose e mbijetuara) ajo që dhunohej për së dyti teksa portretizohej si palë e barabartë përballë autorëve të dhunës ndaj saj, në një përpjekje që medemek po garantonte paanësinë në raportim!

Në emision ishte edhe një grua. Ajo prezantohet si gruaja e bariut Akil Panos (bari quhen në terminologjinë e kishës protestante por dhe të kishave të tjera shërbëtorët e Perëndisë që kujdesen për delet, që është analogjia biblike për besimtarët).
Gruaja e bariut pra nuk linte rast t’i ikte nga duart pa e kriminalizuar vajzën nga Librazhdi.
Përballë saj edhe një grua tjetër, një drejtuese e një prej emisioneve më të tmerrshme në Shqipëri që i merr viktimat e çdo forme të dhunës familjare dhe i riviktimizon dhe ritraumatizon drejtpërsëdrejti në ekran që ajo vetë të ketë sa më shumë shikues që dhe fitimet nga audienca të jenë më të mëdha.

Në atë emision – po marr këtë rast si rast përfaqësues pa dashur ta fokusoj problemin as veçanërisht te Opinioni e as te Fevziu vetë – në atë emision pra kishe mundësinë të shikoje se si fabrikohet paniku moral.

Tani ndaluni pak dhe përsëritini në mendje rastet e mësipërme të panikut moral në Shqipëri. Shtoni po të doni dhe raste të tjera.

Hiqni nga lista rastin e Librazhdit meqë jemi akoma në kulmin e panikut dhe nuk do jemi dot racionalë, dhe pyesni veten nga largësia kohore me ngjarjet se cilët janë në ato ngjarje viktimat e vërteta, dhe se cilët janë ata që kanë përfituar më shumë në shoqëri sa herë më të dobtit janë kryqëzuar përgjatë atyre rasteve në ekrane televizionesh.

Nëse ky ushtrim vetreflektimi nuk mjafton, pyesni veten se si ka mundësi që sa herë ka valë të tilla paniku në shoqëri, para syve ju dalin gjithmonë të njëjtët personazhe që ju thonë gjithmonë të njëjtën gjë, e që po gjithmonë ia arrijnë që disave tu fusin frikën në palcë!

Cohen na thotë se sa herë ka episode të tilla të panikut moral reagimi shoqëror gjithmonë zhvendoset drejt një targeti që pothuajse asnjëherë nuk është problemi themelor i çështjes. Kjo bëhet sepse paniku me baze morale është në thelb një arme politike për të manipuluar reagimin shoqëror në favor të axhendave politike të disa individëve apo grupeve të caktuara.
Nëse gjatë përfytyrimit rreth personazheve që ju dalin sa here ka panik morali nuk ju dalin llogaritë, ju sugjeroj ta zëvendësoni gruan me bariun vetë…

*Marrë nga facebook i autorit