IDE, 18 Maj 2022, 13:06

Çfarë tregojnë negociatat e shtirura për Presidentin?

Çfarë tregojnë negociatat e shtirura për Presidentin?
Andi Bushati

Negociatat e shtira mes grupeve parlamentare lidhur me zgjedhjen e afërt të kreut të shtetit, më shumë sesa na tregojnë se ç’profil presidenti do të kemi, po ngrejnë sinjale alarmi për llojin e opozitës që do të përballet me Edi Ramën. 

Reziku po bëhet gjithnjë e më evident që një pjesë e deputetëve të PD-së të luajnë gjatë këtij mandati rolin që Jenisheri, Gjuzi apo ajo biondina e kërpëratave morën përsipër gjatë dy viteve të shkuara.

Mjafton të shikosh se si disa “të deleguar” të opozitës shërbejnë si ngritës topi që Taulant Balla dhe Elisa Spiropali të pushtojnë me fjalimet e tyre transmetimet live të paradites dhe titujt e mediave onilne në mbrëmje, për të kuptuar më mirë atë që po ndodh. Eshtë e vështirë të arsyetosh mazohismin e tyre përballë sarkazmës së pareshtur të rilindasve: A i bëni dot 20 firma? A keni mandat për të negociaur? A e merrni dot nënshkrimin e katranit me bojë? A mund të propozoni dot një president pro- amerikan?

Këta lloj opozitarësh, që po bëhen në mënyrë të ndërgjegjshme pjesë një farse  nga e cila në fund do zgjidhet emri që mban në xhep Edi Rama, po ripërtrijnë modelin e një grupimi “tolerant”, “bashkëpunues” gati të përulur ndaj qeverisë. Prandaj procesi i zgjedhjes së kreut të shtetit duket vetëm si preludi i pazareve të ardhshme apo i bashkimeve të nesërme të votave, që do të ndodhin në emër të “interesave të mëdha të vendit”. 

Pra edhe këtë herë po hyjmë në një mandat tjetër parlamentar ku Edi Rama do të ketë të transformuar në favor të tij, një pjesë të vullnetit të atyre dhjetra mijra qytetarëve që e votuan kundër në 25 prill.

Natyrisht, askush nuk është aq naiv sa të kujtojë se kjo pjesë e opozitës po sillet kështu, ndaqë beson se të qenit konstruktiv ka vlerë në suazën e këtij regjimi. I vetmi version bindës është se ata po e bëjnë këtë ngaqë janë në betejë të brendëshme me Berishën dhe duan të krijojnë një profil të ndryshëm nga ai i tij. Pra nëse ata të foltores bojkotojnë, këta të dytët marrin pjesë, nëse të parët janë radikalë, këta luajnë konstruktivin, nëse ata vetëm mohojnë, të tjerët demostrojnë aftësi negociuese.

Por, ndonëse beteja e tyre ndaj modelit të Berishës është e ligjshme, madje për shumëkënd e mirëpritur, rruga që kanë zgjedhur e ka të përcaktuar fundin e një dështimi të turpshëm. Të gjithë ata që i kanë hyrë kësaj sprove kur Rama ka qenë në pushtet, kanë pasur të njëjtin fat. Edhe bashkimi i votave për reformën në drejtësi, edhe marrëveshja e 17 majit që sapo mbushi ditëlindjen e pestë, edhe ajo e 5 qershorit, kanë treguar të njëjtën gjë.  

Pra nëse qëllimi i kësaj pjese të opozitës është që të ekzistojë pavarësisht Berishës dhe në kundërshti me të, kjo nuk mund të bëhet duke rënë në prehërin e Ramës, apo duke u sjellë si vegël e tij.

Nëse ata duan vërtet ti marin liderit të vjetër monopolin e të qenit alternativë ndaj qeverisë, ata janë të dënuar të pozicionohen në një llogore më radikale sesa vetë ai. Ata duhet të jenë më kundërshtues ndaj bashkimit të votave, më refuzues ndaj pjesmarrjes në tryeza fasadë, më denoncues ndaj oligarkëve që u pasuruan në kohën e PD dhe u forcuan gjatë pushtetit të rilindjes.

Vetëm kjo lloj vije politike mund ta nxjerrë “non-gratan” nga skena.

Por kështu si ka nisur, duke bashkuar votat me Ramën për vettingun, duke marrë pjesë në tryezat spiropalizuese për zgjedhjen e presidentit, kjo lloj opozite i ngjan më shumë asaj që nuk pranoi të digjte mandatet. Dhe nëse vazhdon në këtë rrugë do të ketë me siguri të njëjtin fund si të sajin./ Lapsi.al/ 

*Titulli origjinal: Presidenti që na flet për opozitën që do kemi