TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nga sot do të jenë të detyruar t’i dorëzojnë target diplomatike, CD, por për vite e vite me radhë, biznesmenë, politikanë, ish-deputetë dhe njerëz të fuqishëm në Shqipëri kanë patur privilegje që shumë prej nesh ndoshta as nuk i dinim.
Ministri i Deleguar i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj tha se janë mbi 38 konsuj nderi që hyjnë e dalin si diplomatë, por në fakt nuk kanë lidhje me këtë fushë. Lista përbëhej nga biznesmenë të fuqishëm si Samir Mane, Avni Ponari, Gentian Sulaj, Nikolin Jaka etj...
Burime nga MPEJ sqaruan se të gjithë konsujt e nderit që kanë në përdorim një makinë me targa diplomatike CD mund të përfitojnë kalim pa kontroll në pikat kufitare, përjashtim nga taksat doganore, si dhe përjashtim nga taksat për të gjitha mallrat që lidhen me zyrën e konsullit të nderit.
Në bazë të ligjit në fuqi parashikohen këto lehtësi për makinat me targa diplomatike
Numri i automjeteve, të importuara apo të blera në vend, nga misionet diplomatike, organizatat ndërkombëtare, të nevojshme për përdorim zyrtar, duhet të jetë i arsyeshëm dhe në varësi të madhësisë dhe të nevojave të misionit, por, në çdo rast, numri i tyre nuk mund të kalojë numrin e stafit diplomatik të këtij misioni.
Automjetet pajisen me targë CD ose TR (jeshile). Ky rregull zbatohet edhe për automjetet, e importuara apo të blera në vend, nga agjencitë e specializuara të OKB-së, të cilat pajisen me targë CD.
Shefat e misioneve diplomatike dhe të organizatave ndërkombëtare, që me marrëveshje dypalëshe janë të barazuara me misionet diplomatike, mund të importojnë në emër të tyre, pa taksa doganore dhe taksa të tjera, dy automjete për përdorim personal, njëra prej të cilave jepet për bashkëshortin/en, të cilat pajisen me targë CD.
Shefat e agjencive të specializuara të OKB-së, në Shqipëri mund të importojnë, në emër të tyre, pa taksa doganore dhe taksa të tjera, një automjet për përdorim personal, i cili pajiset me targë CD. Mund të importohet ose të blihet në vend, pa taksa doganore dhe taksa të tjera, edhe një automjet tjetër shtesë, nëse personat në fjalë janë të shoqëruar nga bashkëshortja/i.
Anëtarët e përfaqësive diplomatike, të organizatave ndërkombëtare dhe të agjencive të specializuara të OKB-së, mbajtës të pasaportave diplomatike, mund të importojnë ose të blejnë në vend, pa taksa doganore dhe taksa të tjera, një automjet, ekskluzivisht për t’u përdorur prej tyre. Mund të importohet ose të blihet në vend, pa taksa doganore dhe taksa të tjera, edhe një automjet tjetër shtesë, nëse anëtari është i shoqëruar nga bashkëshorti/ja. Automjetet pajisen me targë CD.
Kërkesa për pajisjen me targë CD ose TR (jeshile) të automjeteve personale bëhet vetëm pas pajisjes, nga protokolli i shtetit, me kartë identiteti të anëtarit të përfaqësisë diplomatike, të organizatës ndërkombëtare dhe agjencive të specializuara të OKB-së dhe të bashkëshortit/es.
Konsujt e nderit, pavarësisht nga shtetësia, ekskluzivisht për qëllime zyrtare, përdorin një automjet, i cili pajiset me targë të zakonshme kombëtare dhe me një shenjë dalluese, ovale, në të djathtë të targave kombëtare, me simbolet HÇ. Ky automjet mund të importohet apo blihet në Shqipëri, pa doganë.
Anëtarët e përfaqësive diplomatike, mbajtës të pasaportave diplomatike, mund të importojnë ose të blejnë në vend, pa taksa doganore dhe taksa të tjera, ekskluzivisht për përdorim personal, një motoçikletë. Për pajisjen e motoçikletave personale me targë CD ndiqet e njëtja procedurë si për automjetet.
Për pajisjen e automjeteve me targë CD, TR (jeshile) dhe HÇ dhe me lejeqarkullimi, përfaqësitë diplomatike, organizatat ndërkombëtare, agjencitë e specializuar të OKB-së dhe konsullatat e nderit, duhet të paraqesin kërkesën, me notë verbale, në protokollin e shtetit, në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku duhet të shënojnë qëllimin, për të cilin do të përdoret automjeti, emrin e pronarit, tipin e automjetit, numrin e shasisë, ngjyrën, si dhe një fotokopje të vërtetim-zhdoganimit, të faturës së zhdoganimit, të vërtetimit të hyrjes së automjetit, të lëshuar nga dogana ku është zhdoganuar, dokumentin e hyrjes, të lëshuar nga pika e kalimit kufitar, dhe fotokopjen e kartës së identitetit, në rastin kur automjeti është për përdorim personal. Nota duhet të dërgohet në protokollin e shtetit. Pas kësaj, përfaqësia diplomatike, organizatat ndërkombëtare ose konsujt e nderit dorëzojnë notën në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, e cila i pajis këto automjete me leje qarkullimi dhe me targë CD, TR (jeshile) apo HÇ.
Targat CD, TR (jeshile) dhe HÇ nuk janë të transferueshme, kur automjeti, që i mban ato, shitet ose ndryshon pronësi, në çfarëdolloj mënyre.
dosja.al