AKTUALITET, 25 July 2026, 20:43

“Besa nuk ndërtohet me simbolikë”- Ish ministrja Meksi i përgjigjet Ramës: Besimi fitohet me institucione dhe llogaridhënie

Ish-ministrja socialiste Ermelinda Meksi ka reaguar ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e vendosur konceptin e “Besës” përballë standardit të besueshmërisë së qeverisjes.

Në një mesazh të fortë, Meksi thekson se besimi i qytetarëve në demokraci nuk fitohet përmes simbolikës apo premtimeve për të ardhmen, por provohet nga mënyra se si qeveriset vendi, përmes përmbushjes së angazhimeve, funksionimit të institucioneve, rezultateve konkrete dhe llogaridhënies.

“Besa: standardi moral i besueshmërisë së qeverisjes”, shkruan Meksi.

Ish-ministrja e Partisë Socialiste nënvizon se besimi nuk mund të kërkohet nga qytetarët nëse ai nuk mbështetet mbi funksionimin real të shtetit.

“Në demokraci, besimi nuk ndërtohet me simbolikë, por me institucione që funksionojnë, rezultate të prekshme dhe llogaridhënie, që janë kushte për besueshmërinë e qeverisjes”, shprehet ajo.

Meksi shkon edhe më tej, duke theksuar se “Besa” nuk mund të mbetet një zotim për atë që do të bëhet në të ardhmen. Sipas saj, ajo duhet të gjykohet mbi bazën e asaj që qeverisja ka realizuar dhe mbi përgjegjësinë që mban për angazhimet e marra.

“Besa nuk është thjesht një premtim për të ardhmen. Ajo matet me përmbushjen e angazhimeve, funksionimin e institucioneve dhe llogaridhënien, mbi të cilat ndërtohet besimi i qytetarëve te qeverisja”, thekson Meksi.

Mesazhi i plotë i Ermelinda Meksit

Besa: standardi moral i besueshmërisë së qeverisjes

Në demokraci, besimi nuk ndërtohet me simbolikë, por me institucione që funksionojnë, rezultate të prekshme dhe llogaridhënie, që  janë kushte për besueshmërinë e qeverisjes.

Besa nuk është thjesht një premtim për të ardhmen. Ajo matet me përmbushjen e angazhimeve, funksionimin e institucioneve dhe llogaridhënien,mbi të cilat ndërtohet besimi i qytetarëve te qeverisja.