TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Studentët që do të regjistrohen në semestrin e ri të pranimeve për Fakultetin e Mjekësisë në Itali nuk do të kenë më mundësinë të ndjekin studimet në kampusin e Universitetit “Tor Vergata” në Tiranë. Ministria italiane e Universitetit dhe Kërkimit ka vendosur të përjashtojë 220 vendet e parashikuara në kryeqytetin shqiptar nga procedura e semestrit të hapur, pas polemikave të vitit të kaluar.
Vendet e studimit në Tiranë do t’i dedikohen tashmë programit të Mjekësisë në gjuhën angleze. Pranimi në këtë program do të vazhdojë të bëhet përmes testit kombëtar IMAT (International Medical Admissions Test), i zhvilluar tërësisht në anglisht dhe i përdorur për renditjen e kandidatëve në programet “Medicine and Surgery” të universiteteve publike italiane.
Ndërkohë, studentët që regjistrohen në semestrin e hapur nuk do ta gjejnë më Tiranën në listën e dhjetë universiteteve që mund të zgjedhin.
Ministria italiane është në negociata me universitetet për të rikuperuar 220 vendet e humbura në procedurën standarde, duke rritur numrin total të vendeve të ofruara, që aktualisht është 17 mijë.
Polemikat e vitit të kaluar
Vendimi vjen pas debatit të krijuar një vit më parë, kur 220 studentë të caktuar në kampusin e Tor Vergata në Tiranë u përballën me një tarifë regjistrimi prej mbi 9 mijë eurosh në vit.
Pas reagimeve, ministrja italiane e Universitetit, Anna Maria Bernini, ndërhyri duke kritikuar universitetin për nivelin e lartë të tarifave dhe kërkoi pezullimin e tyre. Më pas u vendos që edhe studentët e transferuar në Tiranë të paguanin tarifat sipas sistemit italian, të bazuara në të ardhurat familjare (ISEE), një skemë që do të zbatohej gjatë gjithë ciklit të studimeve.
Mijëra studentë po përgatiten
Aktualisht, rreth 18 mijë studentë janë regjistruar në platformën falas semestreaperto-medodovet.it, e krijuar për t’i ndihmuar kandidatët të përgatiten për semestrin e hapur në programet e Mjekësisë, Stomatologjisë dhe Mjekësisë Veterinare. Platforma është zhvilluar nga Konferenca e Rektorëve të Universiteteve Italiane (CRUI), në bashkëpunim me Ministrinë italiane të Universitetit dhe Kërkimit dhe Konsorciumin Ndëruniversitar CISIA.
Gjithashtu, autoritetet italiane kanë bërë të ditur se së shpejti do të lançohet edhe një platformë e dytë, e krijuar nga konferencat e përhershme të Mjekësisë dhe Stomatologjisë, për të ndihmuar më tej kandidatët në përgatitjen e tyre.