TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Zjarret e mëdha pyjore që kanë përfshirë jugperëndimin e Francës dhe pjesë të Spanjës po vazhdojnë të përhapen me shpejtësi, duke detyruar autoritetet të evakuojnë më shumë se 250 mijë banorë. Erërat e forta dhe temperaturat e larta po e vështirësojnë ndjeshëm punën e zjarrfikësve, ndërsa flakët po afrohen drejt qytetit francez të Bordosë.
Në Francë, rreth 200 mijë persona janë evakuuar nga rajonet Gironde dhe Landes. Autoritetet kanë angazhuar ushtrinë për të mbështetur operacionet e shuarjes së zjarreve, ndërsa presidenti Emmanuel Macron pritet të zhvillojë një mbledhje urgjente me ministrat, pasi rreth 30 vatra zjarri vazhdojnë të jenë aktive në të gjithë vendin.
Sipas autoriteteve franceze, zjarri ndodhet rreth 40 deri në 50 kilometra larg Bordosë, ndërsa tymi ka mbuluar qytetin, duke krijuar shqetësime për banorët.
Edhe në Spanjë situata mbetet kritike, megjithëse ndryshimi i kushteve atmosferike ka ndihmuar disi në frenimin e flakëve pranë Madridit. Kryeministri Pedro Sánchez tha se vendi po kalon “momente të vështira”, por shtoi se ekziston një mundësi për të vënë zjarret nën kontroll.
Autoritetet spanjolle konfirmuan gjithashtu viktimën e parë të këtyre zjarreve. Një burrë rreth të 70-ave humbi jetën pasi u gjet i pajetë brenda automjetit të tij gjatë operacioneve të shuarjes së flakëve në zonën e Valencias.
Që nga fillimi i vitit, në Spanjë janë djegur rreth 130 mijë hektarë tokë, ndërsa në Francë afro 98 mijë hektarë. Për shkak të situatës, etapa e fundit e garës prestigjioze Tour de France është shkurtuar për t’u mundësuar forcave të sigurisë të përqendrohen në zonat e prekura nga zjarret.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka aktivizuar mekanizmin e mbrojtjes civile për të ndihmuar Francën. Në operacion do të angazhohen avionë zjarrfikës nga Kroacia dhe Portugalia, helikopterë nga Çekia dhe Sllovakia, si edhe ekipe speciale nga Rumania.
Komisionerja e BE-së për Menaxhimin e Krizave, Hadja Lahbib, paralajmëroi se Evropa mund të përballet me sezonin më të rëndë të zjarreve në histori, ndërsa valë të reja të të nxehtit pritet të favorizojnë shpërthimin e vatrave të tjera në javët në vijim.