TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Nertil Buzi, 35 vjeçari që shkaktoi vrasjen e dyfishtë në Roskovec dhe në fund vrau dhe veten, ka kërkuar informacion deri në momentet e fundit për paratë që pretendonte se i kishin marrë prindërit e ish të dashurës dhe vitet që mund të qëndronte në qeli.
Zbardhja e negociatave që negociatori i RENEAS dhe prokurori Kristi Jorgji kanë zhvilluar me të, tregon një dimension sa dramatik të ngjarjes, aq edhe tragjik për fatin sesi paratë e përftuara nga aktiviteti kriminal i "shtëpive të barit" në Angli, u bën shkak për një vrasje të trefishtë.
Edhe përse negociatori dhe prokurori përpiqeshin ta bindnin për orë të tëra që të dorëzohej, sepse "zhdukja" e parave do të hetohej, Nertil Buzio sërish ishte mosbesues se ato nuk do t'i ktheheshin më.
“Jeta ime nuk vlen më. Lekët s’i marr dot mbrapsht, në burg nuk dua ta shkoj”, mësohet të jetë shprehur ai, ndërkohë që prokurori i kishte premtuar, në tentativë për ta bindur të mos vriste veten, se ai do të hetonte dhe nëse ato 730 mijë paund të pretenduara do të zbuloheshin se ishin investuar në prona, ai do t'i sekuestronte dhe do t'ia kthente.
Gjatë gjithë bisedës ai rikthehej vazhdimisht te e njëjta pyetje: “A i marr unë ato para, sepse me to do ndërtoja jetën?”
Megjithatë, shqetësimi i Nertilit nuk ndalej vetëm te paratë. Negociatorët janë përpjekur t’i shpjegojnë se, nëse vetëdorëzohej pa shkaktuar pasoja të tjera, kjo do të merrej parasysh dhe dënimi do të ishte më u ulët.
“Sa vite dënohem unë? Nuk dua të shkoj në burg. Kam qenë atje, e di sa e vështirë është”, ka pyetur ai.
Megjithatë, vlen të theksohet se deri në pikën që kishte dorëzuar Rozalindën, Nertil Buzi alias Refit Buzi nuk e dinte se vjehrri kishte ndërruar jetë nga të shtënat me armë gjahu, në orët e para të mëngjesit.
Vetë 35 vjeçari ka kërkuar vazhdimisht nga ish e dashura dhe nga negociatorët, nëse Rozalinda ishte e përfshirë në zhdukjen e parave që ai kishte mbledhur nga "shtëpitë e barit" në Angli. Dhe këtë, ai e ka shfaqur deri në momentet e fundit kur u vetëvra.
“Jeta ime mori fund. Jeta ime mori fund", përsëriste ai vazhdimisht. Edhe pasi kishte biseduar me shefin e Komisariatit të Roskovecit, Mariglen Koroveshaj, të cilit i besoi dorëzimin e ish të dashurës, edhe pas bisedave me orë të tëra me negociatorin e specializuar të RENEAS, 35 vjeçari sërish dukej i pashpresë.
Përgjatë tre orëve të fundit, deri kur vendosi të ndërmerrte aktin e rëndë të vetëvrasjes me armën e gjahut të mbante në makinë, Nertil Buzi ka komunikuar edhe me prokurorin Kristi Jorgji, dhe përpos garancive kërkonte vazhdimisht kohë për t'u menduar.
Në rrethana të paqarta, pak kohë pasi kishte dorëzuar Rozalindën, 35 vjeçari ka mësuar se ish-vjehrri kishte ndërruar jetë. Nuk vonoi shumë, dhe momente më vonë, ai qëlloi dhe veten. Në orët e mbrëmjes së asaj dite të gjatë e me ndërthurje fatesh tragjike, vdiq në spital dhe Belere Plaka.
Tre viktima dhe fati i mijëra paundëve që shkaktuan një nga ngjarjet më tragjike të zonës së Roskovecit, tani po hetohen nga Prokuroria, për të zbuluar nëse pretendimet e Nertilit kanë qenë të vërteta, dhe nëse po, ku shkuan ato.
