AKTUALITET, 28 July 2026, 13:33

Operacioni/ I dënuar në Itali me 11 vite burg për trafik droge, arrestohet me qëllim ekstradimin, 48-vjeçari nga Lushnja

Finalizohet një tjetër fazë e operacionit policor të koduar “Fast”, për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Operacioni u zhvillua nga Sektori për Kërkimin (FAST Albania), në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Fier.

Lokalizohet, kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimi një 48-vjeçar nga Lushnja, i dënuar në Itali me 11 vjet burgim për trafik droge.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, shërbimet operacionale të Sektorit për Kërkimin (FAST Albania), në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, finalizuan një tjetër fazë të operacionit policor të koduar “Fast”.

Si rezultat i veprimeve të mirëkoordinuara operacionale, në Lushnjë u bë i mundur lokalizimi, identifikimi, kapja dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, i shtetasit Bledar Buxheli alias Bledar Çelo, 48 vjeç, banues në Lushnjë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit e Venecias, Itali, në vitin 2024, e ka dënuar me 11 vjet burgim për veprën penale “Trafik droge”, të parashikuar nga Kodi Penal italian.

Nga ky dënim, atij i kanë mbetur për të vuajtur 8 vjet, 6 muaj e 24 ditë burgim.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.